Administrata e Donald Trump ka lënë vakant mbi 100 poste ambasadorësh nëpër botë, përfshirë vende aleate me rëndësi strategjike për SHBA-në. Në vend të diplomacisë tradicionale, presidenti po mbështetet gjithnjë e më shumë tek njerëz të afërt politikisht dhe emisarë personalë. Kjo qasje po ngre shqetësime serioze lidhur me aftësinë e Amerikës për të menaxhuar marrëdhëniet ndërkombëtare dhe për të ruajtur rolin e saj si superfuqi globale.
Shtetet e Bashkuara ndodhen sot, në një formë apo një tjetër përballjeje, pothuajse me të gjithë. Amerika është e përfshirë në një luftë të nxehtë me Iranin dhe në një luftë të ftohtë me Kinën dhe Rusinë, edhe pse presidenti Donald Trump duket se nuk e ka kuptuar ende plotësisht këtë realitet.
Ai ka nisur një sërë luftërash tregtare dhe vazhdon të flasë për një konflikt të mundshëm
me Kubën. Sikur të mos mjaftonte kjo, ai mbetet i fiksuar pas idesë së aneksimit të Groenlandës, një veprim që do të provokonte përplasje me NATO-n, aleancën më të fuqishme dhe më të suksesshme në histori, e cila teorikisht udhëhiqet nga vetë Uashingtoni.
Në rrethana të tilla, do të ishte e natyrshme të pritej rikthimi i diplomacisë tradicionale: dërgimi i ambasadorëve për të qetësuar aleatët, për të siguruar miqtë, për të paralajmëruar kundërshtarët mbi vendosmërinë amerikane, apo edhe për të negociuar çështje tregtare dhe strategjike që kërkojnë profesionalizëm diplomatik.
Problemi është se këta ambasadorë pothuajse nuk ekzistojnë. Siç raportoi së fundmi “The Wall Street Journal”, administrata Trump ka lënë vakantë më shumë se 100 poste ambasadorësh, përfshirë edhe vende kyçe aleate të SHBA-së.
Ky është një numër i paprecedentë boshllëqesh diplomatike, madje edhe për një Shtëpi të Bardhë që ka treguar pak interes për diplomacinë tradicionale. Në të njëjtën periudhë të mandatit të parë të Trump-it, kishin mbetur të paplotësuara vetëm 45 poste - një ritëm gjithsesi më i ngadaltë krahasuar me paraardhësit e tij.
Shoqata Amerikane e Shërbimit të Jashtëm, sindikata që përfaqëson diplomatët amerikanë, deklaroi për gazetën se Trump “ka qenë i ngadaltë në emërimin e ambasadorëve dhe se kandidatët e tij shpesh bllokohen në një proces gjithnjë e më të ngadaltë dhe të mbingarkuar konfirmimi në Senat”.
Por kjo është vetëm një mënyrë diplomatike për të thënë se Trump nuk e kupton rëndësinë e ambasadorëve dhe se preferon t’ua shpërndajë këto poste miqve, besnikëve dhe klientelës së tij politike individë që më pas përballen me beteja të ashpra konfirmimi në Senat.
Në mënyrën e tij të zakonshme, personale dhe kaotike, Trump duket se i përdor këto emërime jo për të çuar përpara interesat diplomatike të SHBA-së, por për të shpërblyer besnikërinë dhe, ndoshta, për të provokuar opinionin publik amerikan dhe komunitetin ndërkombëtar.
Për hir të së vërtetës, çdo president amerikan rezervon disa poste ambasadorësh për donatorë apo miq politikë. Disa prej tyre rezultojnë diplomatë të mirë; të tjerë nuk do të duhej kurrë të përfaqësonin Shtetet e Bashkuara jashtë vendit.
Zakonisht, megjithatë, këta ambasadorë politikë dërgohen në vende më të vogla ose me rëndësi më të kufizuar strategjike. Për shembull, Kari Lake një besnike ekstreme e lëvizjes MAGA dhe një kandidate politike e dështuar është emëruar ambasadore në Xhamajkë, një akt që mund të interpretohet si një fyerje ndaj një aleati amerikan.
Problemi bëhet edhe më serioz kur individë të papërshtatshëm dhe pa kompetencë vendosen në ambasada të rëndësishme, si ato në Jerusalem apo Paris. Këto emërime nuk shprehin vetëm përçmimin e Trump-it ndaj diplomacisë, por edhe mosbesimin e tij të kahershëm ndaj ekspertëve në përgjithësi dhe diplomatëve profesionistë në veçanti.
Sipas zyrtarëve të administratës, Trump mbështetet tek “të dërguar të besuar” për të menaxhuar marrëdhëniet me disa vende njëkohësisht, duke pretenduar se kjo përbën një model më efikas të diplomacisë rajonale.
Për shembull, ambasadori amerikan në Turqi, Tom Barrack, shërben njëkohësisht si i dërguar për Sirinë, ndërsa figura si Steve Witkoff apo Jared Kushner përdoren si emisarë personalë. Pretendimi se ky është një “model më efikas” tingëllon absurd.
Të përpiqesh të ndërmjetësosh një luftë mes Rusisë dhe Ukrainës pa ambasadorë të konfirmuar as në Moskë dhe as në Kiev nuk është efikasitet, por papërgjegjshmëri.
Po ashtu, ngarkimi i një ambasadori me disa vende njëherësh nuk sjell koherencë rajonale. Përkundrazi, i mbingarkon kapacitetet e tij, krijon konfuzion administrativ dhe dëmton komunikimin diplomatik.
Administrata Trump nuk ka treguar ndonjëherë interes real për efikasitetin institucional. Atëherë, çfarë fshihet pas gjithë këtyre vakancave? Me shumë gjasa, Trump nuk e kupton realisht rolin e ambasadorëve dhe as nuk shqetësohet ta kuptojë.
Megjithatë, Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, nuk është një rishtar politik dhe e di mirë rëndësinë e diplomatëve, sidomos në kohë krizash, kur qeveritë e huaja kërkojnë siguri se po komunikojnë me dikë që flet me autoritetin e plotë të presidentit të SHBA-së.
Megjithatë, një nga veprimet e para të Rubio-s ishte të tërhiqte 30 ambasadorë nga postet e tyre. Departamenti i Shtetit e paraqiti këtë si një procedurë rutinë, por kjo është disi mashtruese.
Normalisht, ambasadorët paraqesin dorëheqjen në fillim të një administrate të re, por zakonisht qëndrojnë në detyrë derisa të emërohet zëvendësuesi i tyre. Tërheqja e menjëhershme e tyre, duke lënë poste bosh, sugjeron se diplomatët e karrierës po i nënshtrohen filtrave politike.
Trump duket se e sheh administratën shtetërore jo si një aparat institucional në shërbim të vendit, por si një kompani private ku të gjithë duhet t’i shërbejnë atij personalisht. Në këtë logjikë, kush nuk është mbështetës i tij konsiderohet kundërshtar.
Pra, Trump nuk dëshiron askënd që ta përfaqësojë pa qenë plotësisht i bindur se ai person do t’i ruajë sekretet dhe do të zbatojë urdhrat e tij pa kundërshtim, madje edhe kur ato mund të jenë etikisht të dyshimta apo potencialisht të paligjshme.
Sipas kësaj qasjeje, diplomacia nuk zhvillohet më përmes institucioneve dhe profesionistëve, por përmes një rrethi të ngushtë njerëzish besnikë ndaj “shefit”.
Siç raportoi së fundmi Reuters, qeveritë e huaja po anashkalojnë ambasadat amerikane dhe po e “riprogramojnë” diplomacinë e tyre rreth një grupi të vogël njerëzish që kanë qasje të drejtpërdrejtë tek presidenti.
Nëse je një vend si Greqia dhe përballesh me një ambasadore si Kimberly Guilfoyle - ishpartnerja e Donald Trump Jr. mund të mos presësh shumë komunikim serioz me Uashingtonin. Por nëse je mjaftueshëm i rëndësishëm për të pasur një vizitë nga dhëndri i presidentit, atëherë e di se po flet vërtet me qendrën e pushtetit amerikan.
Bota nuk do të ndalet së funksionuari nëse SHBA-ja nuk ka ambasador në çdo kryeqytet. Vakancat e përkohshme janë normale dhe ndikimi i ambasadorëve ndryshon sipas prioriteteve të çdo presidenti.
Megjithatë, dështimet diplomatike të Trumpit përfshirë poshtërimet e njëpasnjëshme përballë liderëve të Kinës dhe Rusisë, tërheqjet në luftërat tregtare dhe paaftësinë për të siguruar mbështetje aleate në Lindjen e Mesme sugjerojnë qartë se nuk është kjo mënyra se si menaxhohet diplomacia e një superfuqie./Përktheu "Pamfleti", nga “The Atlantic”
Lini një Përgjigje