Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, konfirmoi të mërkurën vrasjen e Mohammed Ouda, një prej drejtuesve më të lartë ushtarakë të Hamasit.
“Në kemi premtuar se do të eliminojmë të gjithë ata që udhëhoqën masakrën e 7 tetorit, dhe kjo është ajo që do të bëjmë. Të gjithë janë të shënjestruar për vdekje, kudo që ndodhen,” deklaroi Katz.
Njoftimi erdhi vetëm 12 ditë pasi ushtria izraelite vrau paraardhësin e tij, Izz al-Din al-Haddad.
Kryeministri Benjamin Netanyahu dhe ministri Katz kishin bërë të ditur të martën sulmin ndaj Ouda, duke e cilësuar atë si shefin e katërt ushtarak të Hamasit të vrarë nga Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF).
Katz shtoi se Izraeli mbetet i vendosur që Hamasi të mos ketë më kontroll mbi Gazën, as në aspektin civil dhe as në atë ushtarak.
“Ne premtuam se Hamasi nuk do të sundojë Gazën, as civilisht dhe as ushtarakisht, dhe kjo do të ndodhë. Plani për emigrimin vullnetar nga Gaza do të zbatohet gjithashtu, në kohën dhe mënyrën e duhur,” tha ai.
Sipas autoriteteve izraelite, Ouda kishte shërbyer si drejtues i inteligjencës ushtarake të Brigadave Izzadin al-Qassam gjatë sulmit të 7 tetorit 2023.
Raportet e huaja thonë se atij iu ofrua posti i kreut ushtarak të Hamasit pas vrasjes së Yahya Sinwar në maj 2025, por ai e kishte refuzuar atë rol.
Më pas, Ouda u konsiderua si një nga anëtarët e fundit të komandës së lartë të Hamasit që kishte rol aktiv në planifikimin dhe mbikëqyrjen e sulmit të 7 tetorit.
Sipas raportimeve ndërkombëtare, i vetmi anëtar i mbetur i këshillit qendror të Hamasit është komandanti i frontit të brendshëm, Imad Aqel, i cili nuk kishte marrë pjesë në sulm.
Mohammed Ouda kishte bashkëpunuar më parë me Mohammed Deif, ish-komandantin e Brigadave al-Qassam, dhe aktiviteti i tij në Hamas daton që nga Intifada e Parë palestineze në vitin 1987.
Deif, i cili drejtoi Brigadat al-Qassam gjatë sulmit të 7 tetorit, u vra nga Izraeli në korrik 2024 pas disa përpjekjeve të dështuara për eliminimin e tij.
Sipas raportimeve, Ouda i kishte mbijetuar disa tentativave për atentat, si para ashtu edhe gjatë luftës aktuale, pasi në shumicën e rasteve nuk ndodhej në objektivat e goditura.
Lini një Përgjigje