TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota27 Maj 2026, 07:39

Debati për Bashkimin Europian tensionon skenën politike në Islandë

Shkruar nga Pamfleti
Debati për Bashkimin Europian tensionon skenën politike në
Ministrja e Jashtme islandeze

Torgerdur Katrin Gunarsdotir akuzon kundërshtarët për përhapje frike mes paralajmërimeve për dezinformim dhe inteligjencë artificiale

Ministrja e Jashtme e Islandës ka deklaruar se druhet që vendi i saj mund të përballet me një “moment Brexit” në referendumin e ardhshëm për Bashkimin Europian, mes paralajmërimeve për dezinformim, ndërhyrje të huaja dhe përdorim të inteligjencës artificiale.

Me pak më shumë se tre muaj deri në votimin e Islandës për të vendosur nëse do të vazhdojë apo jo negociatat e anëtarësimit me BE-në, zhvillimet po ndiqen nga afër në Uashington, Moskë dhe Bruksel.

Torgerdur Katrin Gunarsdotir akuzoi individë dhe grupe, brenda dhe jashtë vendit, për “përhapje frike”, duke thënë se Islanda po përballet me dezinformim dhe retorikë të marrë “nga manuali i Nigel Farage dhe Reform”.

Ajo tha se referendumi rrezikon të bëhet objektiv i Rusisë dhe i “aktorëve që kërkojnë të ndikojnë negativisht debatin tonë publik”. Ndërhyrja e huaj dhe përhapja e dezinformimit mund të ndikojnë përfundimisht në rezultatin e votimit, paralajmëroi ministrja.

“Kam frikë se do të përballemi me një moment Brexit”, tha ajo për The Guardian, duke shtuar “nga këndvështrimi im, kjo do të ishte një rrugë mjaft e rrezikshme, sepse gjatë Brexit-it u përhapën shumë gënjeshtra nga mbështetësit e largimit.”

Torgerdur tha se Brexit “duhet të shërbejë si shembull se si nuk duhet zhvilluar një fushatë”, dhe jo si diçka për t’u imituar.

Qeveria e koalicionit në Islandë, e përbërë nga Aleanca Socialdemokrate, Partia e Popullit dhe partia liberale Reform, njoftoi në mars se referendumi për BE-në do të mbahej më 29 gusht.

Ky vendim u nxit pjesërisht nga kërcënimet e SHBA-së për Groenlandën, fqinjën më të afërt të Islandës.

Torgerdur tha se rendi ndërkombëtar që garantoi sigurinë dhe mirëqenien e Islandës për dekada po përballet me presion serioz.

Ajo shtoi se marrëdhëniet e vjetra ndërkombëtare po vihen në provë dhe se tregtia po përdoret gjithnjë e më shumë si “armë politike”.

Megjithatë, ministrja theksoi se marrëdhëniet mes Islandës dhe SHBA-së mbeten të forta dhe se anëtarësimi në BE nuk bie ndesh me partneritetin me Uashingtonin.

Në referendumin e gushtit, islandezët nuk do të votojnë drejtpërdrejt për anëtarësimin në BE, por për rifillimin e negociatave me bllokun europian.

Islanda aplikoi për anëtarësim në BE në vitin 2009 dhe negociatat nisën në vitin 2010, por procesi u pezullua në vitin 2013. Sondazhet tregojnë një garë të ngushtë: 42% e qytetarëve mbështesin rifillimin e negociatave, ndërsa 39% janë kundër.

Mbështetësit e anëtarësimit argumentojnë se kjo do të forconte sigurinë dhe integrimin europian të Islandës, ndërsa kundërshtarët shprehin shqetësime për peshkimin, bujqësinë dhe sovranitetin kombëtar.

Peshkimi mbetet një nga temat më të ndjeshme të debatit, pasi përbën një sektor kyç të ekonomisë dhe identitetit islandez.

Torgerdur u bëri thirrje qytetarëve të krijojnë vetë opinionin e tyre dhe të tregohen të kujdesshëm ndaj burimeve të informacionit.

Ajo akuzoi disa forca politike për përdorim të metodave të ngjashme me ato të përdorura nga Ukip para referendumit britanik për Brexit. Ndërkohë, kryeministrja Kristrun Frostadotir paralajmëroi se ndikimi i huaj në referendum “nuk do të tolerohet”, qoftë nga BE-ja, Kina, Rusia apo SHBA-ja.

Presidentja Hala Tomasdotir paralajmëroi për rreziqet e inteligjencës artificiale, duke thënë se ajo mund të prodhojë përmbajtje mashtruese që duket bindëse dhe të ndikojë opinionin publik.

Edhe profesori Hafstein Einarson nga Universiteti i Islandës shprehu shqetësim për mënyrën se si modelet e inteligjencës artificiale mund të përhapin informacion të pasaktë mbi referendumin dhe çështjet që lidhen me të.

 

islande be referendumi

Lini një Përgjigje