Një ngjarje e rëndë familjare ka tronditur Napolin, ku një 25-vjeçar është dorëzuar në polici dhe ka pranuar se është autori i vrasjes së motrës së tij 22-vjeçare.
Giuseppe Musella u paraqit vetë pranë autoriteteve dhe deklaroi se ishte ai që vrau motrën e tij, Ylenia Musella. Ngjarja ndodhi të martën pasdite, kur e reja u godit me thikë në shpinë dhe humbi jetën pak pas mbërritjes në spital, për shkak të plagëve të rënda.
Në dëshminë e dhënë para hetuesve, 25-vjeçari ka treguar se shkak i konfliktit ishte një debat i nisur për qenin e tij. Sipas tij, ai ishte duke fjetur kur u zgjua nga britmat e motrës. Grindja nisi pasi qeni kishte kryer nevojat në ambientet e shtëpisë dhe Ylenia, e irrituar, e kishte goditur kafshën me shqelm.
“Unë po flija, ajo filloi të ulëriste dhe më zgjoi. U grindëm për shkak të qenit tim. Ajo ishte e nevrikosur pasi qeni im kishte kryer nevojat në ambientet e shtëpisë dhe më pas e goditi me shqelm. Ky ishte momenti që solli debatin dhe në nerva e sipër, mora thikën dhe e godita”, ka deklaruar Musella, duke shtuar se bëhej fjalë për një goditje të vetme, e cila rezultoi fatale, pasi e reja ra menjëherë në tokë.
Sipas mediave italiane, përfshirë Corriere del Mezzogiorno, Ylenia Musella ishte shumë e lidhur me familjen dhe veçanërisht me vëllain e saj. Ajo shpesh i shprehte publikisht dashurinë dhe mbështetjen, edhe përmes rrjeteve sociale. Në një postim prekës, ajo kishte shkruar: “Nuk do të doja kurrë të të shihja të vuash, sepse nëse ti je mirë, jam mirë edhe unë. Je gjithçka për mua, je pasuria ime më e madhe.”
Ndërkohë, hetuesit po punojnë për të verifikuar nëse versioni i dhënë nga Giuseppe Musella përputhet me provat e mbledhura, përfshirë dëshmitë e personave të tjerë dhe rezultatet e hetimeve teknike.
Rasti ka shkaktuar tronditje të madhe në komunitet dhe ka rikthyer vëmendjen mbi dhunën brenda familjes, duke lënë pas një tragjedi të rëndë dhe shumë pikëpyetje.
Lini një Përgjigje