Ndërsa SPAK që e ka provën sa një “mal”, po vështron si vidhen 2.7 milionë Euro çdo muaj me urdhër të ministres Belinda Balluku, me kontratë ilegale e sekrete të firmosur nga drejtori i KESH, Ergys Verdho, por pa asnjë dyshim me “bekimin” e Bablokut, që shoqërinë hije nga Bangladeshi e prezantoi si kompani të fuqishme amerikane...
Një ndër aferat me vlerë të madhe financiare, sa vlera e 3 landfilleve, është pazari që kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Energjisë, Belinda Balluku, kanë bërë me pronarët e dy anijeve të sjella nga Bangladeshi në Vlorë në muajin shtator 2022.
Këto u kontraktuan pa vendim qeverie, duke përdorur KESH-in, për gjoja emergjencën e prodhimit të energjisë pas sulmit rus në Ukrainë, ndërkohë që HEC-et shtetërorë në Shqipëri, prodhonin e prodhojnë energji 30% më shumë se nevojat e konsumit dhe shitet në eksport.
Dy anijet e ardhura nga Bangladeshi e të vendosura në Triportin e Vlorës, prej 19 muajsh nuk janë ndezur e nuk kanë prodhuar asnjë kilovatë energji elektrike, por qeveria vazhdon i paguan qysh prej datës 1 tetor 2022 me nga 90 mijë Euro në ditë.
Përveç ndërtimit të vend-ankorimit me vlerë 2.3 milionë Euro dhënë Pëllumb Salillarit e përveç pagesës 18 milionë Euro për ri-remontimin e dy anijeve TEC-e, qeveria u ka paguar para 2 muajsh edhe 100 milionë Euro për gjoja furnizimin e tyre me naftë bruto, kur ato nuk punojnë.
Për shkak, se kontrata e qeverisë me pronarët e këtyre dy anijeve po mbahet sekret, nuk dihet se sa vite do mbahen në Vlorë pa prodhuar energji, sepse Shqipëria nuk ka nevojë për energji, por ata mbahen për të justifikuar vjedhjen që bëhet nëpërmjet tyre.
Burime nga Ministria e Financave, thanë për “Pamfleti”-n, se me qiranë ditore 90 mijë Euro, vlera totale e paguar deri tani është 52 milionë Euro, ndërsa vlera totale ka shkuar 170 milionë Euro, por kontrata do vazhdojë pa afat, duke u paguar paçka se anijet nuk prodhojnë energji.
Meqë SPAK e di këtë vjedhje të organizuar e nuk po fillon hetimet, po bëjmë një krahasim të thjeshtë, midis vlerësimit të SPAK-ut që ka marrë përsipër të luftojë krimin financiar shtetëror dhe miliardave që qeveria u jep pronarëve të dy anijeve nga Bangladeshi.
Pagat totale të 20 prokurorëve të SPAK në 1 muaj, janë 90 mijë Euro, ose baras me qiranë ditore që qeveria paguan për 2 anijet TEC të sjella nga Bangladeshi e mbahen si relike në Triport të Vlorës pa prodhuar energji.
Ndërsa SPAK që e ka provën sa një “mal”, të bërë prezent disa herë nga “Pamfleti” dhe shoqëruar me apel për ta hetuar këtë krim financiar; po hesht megjithëse po vidhen miliona Euro me urdhër të ministres Balluku dhe kontratë ilegale e sekrete të firmosur nga drejtori i KESH, Ergys Verdho.
Por pa asnjë dyshim, që milionat jepen me “bekimin” e Bablokut, i cili, për firmën fantazmë nga Bangladeshi kur solli dy anijet në Vlorë, tha se është kompani e fuqishme amerikane me aktivitet prodhimi energji në gjithë Botën./Pamfleti
Lini një Përgjigje