Hungarezit, të drejtën për të pasur në dorë të dhënat e shqiptarëve dhe të institucioneve e agjencive të sigurisë kombëtare, ia dha vetë kryeministri Edi Rama, duke ia miratuar blerjen e kompanisë “One Albania”, paçka se e dinte, që Gellért Jászai është i skeduar në SHBA...
Dy ditë më parë, kompania celulare “One Albania”, u sulmua nga grupi i hakerave “Homeland Justice”, i cili ka njoftuar në rrjetin “Telegram”, se ka marrë të dhënat e sistemit të kësaj kompanie, duke zbuluar të vërtetën se nuk janë të sigurta.
Tashmë, të dhënat e shqiptarëve dhe të institucioneve shtetërore, mes tyre të drejtësisë, policisë e sigurisë kombëtare që kryejnë shërbimet nëpërmjet rrjeteve të “One Albania”, janë në duart e grupit të hakerëve iranianë, të cilët mund t’i përdorin e t’i shesin ku të duan.
Fillimisht, kompania “One Albania” heshti për këtë grabitje të dhënash, pastaj pagoi disa media për ta mohuar sulmin, ndërsa faktet e publikuara dhe reagimi publik, detyruan pronarin e kësaj kompanie të pranonte sulmin nga hakerat.
Në deklarimin e saj, “One Albania” mashtroi duke e quajtur hakerimin “incident i vogël e pa asnjë pasojë” në shërbimet ndaj klientëve si telefoni celulare, fikse e IPTV, kur faktikisht shërbimi u ndërpre dhe pati probleme të shumta deri në mesditë.
Përveç mashtrimit të parë, pronarët e “One Albania”, mashtruan përsëri, duke thënë se të dhënat nuk janë grabitur nga hakerat e janë tepër të sigurta.
Madje për krijuar bindje te klientët, deklaruan se siguria e të dhënave është konfirmuar nga AKEP dhe Agjencia Shtetërore e Sigurisë Kibernetike, kur siç dihet, këto dy agjenci nuk garantuan dot as të dhënat e TIMS, të Policisë, SHISH e Kuvendit.
Por edhe nëse hakerat nuk do t’i kishin grabitur të dhënat e “One Albania”, ose nuk do ta sulmojnë më këtë kompani celulare, të dhënat e shqiptarëve dhe të institucioneve shtetërore, të drejtësisë, policisë e sigurisë kombëtare, që prej muajit mars 2022 janë në duart e mafies ballkanike e ruse.
Sepse kompania “One Albania”, është 100% në pronësi të hungarezit Gellért Zoltán Jászai, ortaku dhe miku i kryeministrit Viktor Orban dhe i oligarkëve të Vladimir Putinit; fakt që mjafton për t’u bindur, se të dhënat që kalojnë në rrjetet e komunikimit të kësaj kompanie nuk kanë siguri konfidenciale.
Më konkretisht, pronari hungarez Gellért Zoltán Jászai i kompanisë “One Albania”, është i skeduar nga SHBA për pastrim parash në Hungari, Bullgari, Rumani, Serbi, Bosnje, Turqi, Mali i Zi, Maqedoni e Shqipëri edhe me “OTP Bank Albania”.
Po kështu, është i skeduar për skema mashtrimi financiar, trafik fiktiv aksionesh e kapitalesh, evazion fiskal e pastrim parash me kompanitë “4iG Nyrt”, “KZF Vagyonkezelo Kft”, “Konzum Befektetési és Vagyonkezelo NyRt”, “Hunguest Hotels Szállodaipari Zrt.”, “Appeninn Vagyonkezelo Holding Nyrt” dhe “SCD Group Kft”.
Këtij ortaku të oligarkëve rusë të lidhur me Vladimir Putinin; të drejtën për të pasur në dorë të dhënat e shqiptarëve dhe të institucioneve e agjencive të sigurisë kombëtare, ia dha vetë kryeministri Edi Rama, duke i miratuar blerjen e kompanisë “One Albania”, paçka se e dinte, që hungarezi Gellért Jászai është i skeduar në SHBA./Pamfleti
Lini një Përgjigje