TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 6 Maj 2026, 17:14

"Vdeksh, vrit veten"/ Fyente dhe mallkonte nxënësit, pezullohet mësuesja e shkollës në Kamëz

Shkruar nga Pamfleti
"Vdeksh, vrit veten"/ Fyente dhe mallkonte nxënësit,
Foto ilustruese

Ministria e Arsimit ka reaguar pas materialit të transmetuar në emisionin investigativ “Stop”, ku pretendohet se një mësuese e arsimit fillor në shkollën “Isa Boletini” në Kamzë ka shfaqur sjellje të papërshtatshme dhe të papranueshme ndaj nxënësve.

Në komunikimet e saj me nxënësit, ajo përdor etiketime të rënda si “budallenj”, “torollakë”, “të paedukatë”, “mistreca”, madje shkon deri në shprehje ekstreme, si “vdeksh” apo “vrit veten”.

Sipas ministrisë, menjëherë pas publikimit të rastit, Drejtoria Rajonale e Arsimit Parauniversitar Tiranë ka ngritur një grup pune për ndjekjen e plotë të situatës. Grupi ka zhvilluar takime me drejtues të shkollës, psikologë dhe prindër të nxënësve të përfshirë.

Me vendim të datës 6 maj 2026, mësuesja është pezulluar nga detyra dhe nuk është lejuar të hyjë në ambientet e shkollës deri në përfundim të procedurave administrative dhe institucionale.

Ministria bën të ditur gjithashtu se drejtoria e shkollës po përgatit kallëzimin pranë organeve kompetente, ndërsa emisionit “Stop” do t’i kërkohet zyrtarisht vënia në dispozicion e pamjeve filmike për verifikimin e plotë të rastit.

Në reagimin publik, Ministria e Arsimit dënon çdo veprim që cenon sigurinë, mirëqenien dhe dinjitetin e nxënësve në institucionet arsimore. Ajo thekson se sjelljet që bien ndesh me etikën profesionale dhe përgjegjësinë e profesionit të mësuesit janë të papranueshme.

Ministria shprehu mirënjohje për median që sinjalizoi rastin dhe nënvizoi se mbetet e angazhuar për të garantuar një mjedis të sigurt, të shëndetshëm dhe edukues për çdo nxënës.

pezullim mesuesja kamez ministria e arsimit

Lini një Përgjigje