Ju ftojmë të ndiqni një bllok lajmesh me zhvillimet kryesore nga kronika e zezeë ku ndër të tjera veçojmë:
Pas aksidentit tragjik në Durrës, ku humbën jetën dy të mitur, Policia e Shtetit ka ndërmarrë masa të forta për rritjen e sigurisë rrugore në të gjithë vendin. Janë vendosur 22 radarë shpejtësie dhe Policia Rrugore është pajisur me dronë, kamera, aparate fotografike, si dhe testues për alkoolin dhe drogën. Kontrolli në akset nacionale do të bëhet kryesisht me mjete teknologjike, ndërsa ndërhyrjet e drejtpërdrejta do të kryhen vetëm në raste shkeljesh të rënda.
Në sistemin e drejtësisë, Gjykata e Posaçme ka shtyrë disa seanca të rëndësishme. Mes tyre është çështja ndaj Artan Tafanit dhe të pandehurve të lidhur me Laert Haxhiun, ku pritej të dëshmonin edhe figura publike si Noizy dhe babai i tij. Procesi lidhet me një grup të dyshuar për krime të rënda, përfshirë atentate dhe trafik droge.
Po në Gjykatën e Posaçme, është vendosur që Marklen Haka, i njohur si “i forti i Niklës”, të mos gjykohet me procedurë të shkurtuar, por me gjykim të zakonshëm. Dosja e madhe e hetimeve të SKY ECC është ndarë në disa pjesë, ku për disa të pandehur është pranuar gjykimi i shkurtuar, ndërsa për të tjerë vijon procesi i plotë. Hetimet lidhen me komunikime të enkriptuara që kanë zbuluar struktura kriminale të përfshira në trafik droge, atentate dhe bashkëpunim me struktura të ndryshme.
Në Tiranë, policia ka goditur tre subjekte të këmbimit valutor që vepronin pa licencë. Janë sekuestruar shuma të konsiderueshme parash në euro, dollarë, paund dhe lekë, ndërsa ndaj tre pronarëve kanë nisur hetimet për aktivitet financiar të paligjshëm.
Në fushën e trafikut të drogës, janë regjistruar disa operacione. Në Vlorë është arrestuar një 30-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar për trafik kokainë drejt Spanjës, ndërsa në Prrenjas u godit një tjetër rrjet shpërndarjeje droge me arrestimin e dy personave dhe sekuestrimin e dozave të kokainës.
Në arenën ndërkombëtare, autoritetet antimafia italiane në Napoli kanë goditur klanin Di Lauro, i cili dyshohet se kishte lidhje me grupe kriminale shqiptare për furnizimin me kokainë dhe kanabis në tregun italian. Operacioni përfshiu arrestime dhe sekuestrime të mëdha droge, duke ekspozuar rrjete të strukturuara trafiku.
Në një tjetër zhvillim, një anije mallrash është fundosur në brigjet greke, ndërsa 9 marinarë janë shpëtuar. Anija kishte itinerar nga Shqipëria drejt Ukrainës, sipas raportimeve paraprake.
Ndërkohë, në arenën ndërkombëtare të drejtësisë dhe krimit, raportohet edhe për arrestime të shumta: një shqiptar i shumëkërkuar është kapur në Moskë, një tjetër figurë e lidhur me mafien italiane është arrestuar në Sicili, ndërsa në SHBA një korrier është dënuar me vdekje për një vrasje të rëndë që ka tronditur opinionin publik.
Në planin gjyqësor ndërkombëtar, është shtyrë për në 20 korrik 2026 vendimi përfundimtar ndaj ish-krerëve të Ushtria Çlirimtare e Kosovës në Hagë, duke zgjatur një nga proceset më të rëndësishme të viteve të fundit.
Lini një Përgjigje