Lexues të “Pamfleti” ju ftojmë të ndiqni edicionin informativ të mesditës, ku mes të tjerash veçojmë:
Aksident me pasojë vdekjen e 7-vjeçarit/ Shoqërohet në Polici regjisori Petri Bozo
Detaje të reja janë bërë me dije nga aksidenti me pasojë vdekjen e një 7-vjeçari që ndodhi mëngjesin e sotëm në Mengël të Elbasanit.
Shkaktar i aksidentit dyshohet të jetë regjisori dhe producenti Petri Bozo, djali i ish-deputetes së PS-së, Luljeta Bozo, i cili është shoqëruar në ambientet e policisë për të dhënë shpjegime.
Fëmija 7-vjeçar është përplasur pranë shkollës ku ai mësonte, ndërsa ngjarja e rëndë ndodhi në praninë e nënës së tij.
Policia dhe ekspertët ndodhen në vendngjarje, për të hedhur dritë mbi shkaqet e aksidentit.
Ndërkohë, në dëshminë e tij, sipas banorëve të zonës, autori pretendonte se ka qenë duke lëvizur me vetëm 10 kilometra në orë.
“Ai tha se ishte duke ecur me 10 km në orë. Tha; jam duke ecur në rrugë nacionale, kam të drejtën time, isha me 10 km/h, por në fakt ishte me shpejtësi”, sqaroi banori i zonës, ndërsa shton se rruga është bërë shumë e rrezikshme në këtë lagje dhe se edhe më parë kanë ndodhur aksidente.
Panik në “Ali Dem”/ Fatmir Bektashit i merr flakë pallati i sapo ndërtuar
Zjarr dhe panik mbrëmjen e sotme në kompleksin “Kadiu” në zonën e Ali Demit në Tiranë. Flakët kanë përfshirë një nga pallatet e sapo ndërtuara nga ortaku i familjes Berisha, Fatmir Bektashi, ndërsa tymi i dendur detyroi dhjetëra banorë të dalin me urgjencë nga banesat.
Sipas dëshmive nga vendngjarja, zjarri dyshohet se nisi nga kabina e automateve elektrike. Alarmi i pallatit u aktivizua, energjia u ndërpre dhe familje të tëra, mes tyre edhe fëmijë, dolën të frikësuar jashtë ndërtesës.
Por ajo që e bëri situatën edhe më dramatike ishte mungesa e aksesit për mjetet e emergjencës. Banorët denoncojnë se rruga para pallatit ka qenë e bllokuar, duke vështirësuar hyrjen e zjarrfikëses dhe ambulancës në momentet kritike.
Qytetarët denoncojnë se rrugët brenda kompleksit janë jashtë çdo standardi dhe e bëjnë pothuajse të pamundur ndërhyrjen e zjarrfikëses apo ambulancës në raste emergjente.
Pallatet janë të kompanisë “Kontakt” të biznesmenit Fatmir Bektashi, i cili edhe pse është nën hetim me dy dosje në SPAK, vijon të marrë leje ndërtimi dhe të zgjerojë projektet në kryeqytet.
Takim me Ramën për çështjen e detit/ Ministri grek i Mbrojtjes viziton sot Tiranën
Ministri i Mbrojtjes së Greqisë, Nikos Dendias sot vjen në Tiranë për bisedime të nivelit të lartë që synojnë rifillimin e një procesi që ka mbetur i bllokuar prej vitesh për kufirin detar.
Media greke “Tovima”, shkruan se gjatë vizitës së tij në Shqipëri, Dendias pritet të takohet me kryeministrin Edi Rama dhe ministrin e Mbrojtjes të Shqipërisë, Ermal Nufi.
Po ashtu, sipas medias greke, Athina dhe Tirana po kërkojnë të përfitojnë nga ajo që zyrtarët grekë e përshkruajnë si një fazë pozitive në marrëdhëniet dypalëshe.
Objektivi kryesor i udhëtimit të Dendias është të rifillojë një iniciativë dypalëshe të rënë dakord për herë të parë në tetor 2020, kur të dy vendet njoftuan qëllimin e tyre për t’ia referuar mosmarrëveshjen e tyre për kufirin detar Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë.
Athina dhe Tirana po kërkojnë të përfitojnë nga ajo që zyrtarët grekë e përshkruajnë si një fazë pozitive në marrëdhëniet dypalëshe. Përpjekja vjen pas një vizite të kohëve të fundit të Ramës në Greqi dhe brenda kuadrit më të gjerë të mbështetjes së Greqisë për përshpejtimin e procesit të pranimit në Bashkimin Evropian të Ballkanit Perëndimor.
Në qendër të diskutimeve është përgatitja e një marrëveshjeje formale që do t’u lejonte të dy vendeve t’ia paraqisnin mosmarrëveshjen e tyre mbi shelfin kontinental dhe Zonën Ekonomike Ekskluzive (EEZ) gjykimit ndërkombëtar.
Si e ka blerë Babloku "gjyshin" e PD/ Me para dhe leje ndërtimi për Zenin dhe dhëndrin "faqezi"
Për më shumë se një dekadë, shqiptarët kanë pyetur veten përse opozita nuk e rrëzon dot kurrë Edi Ramën. Përgjigjja nuk gjendet në sallën e Kuvendit, as në studio televizive ku politikanët bërtasin përballë njëri-tjetrit. Përgjigjja është ndërtuar me beton dhe hekur në zemër të Tiranës, në kullat që mbajnë të fshehtë një marrëveshje shumë më të vjetër se çdo fushatë elektorale.
Babai i kësaj marrëveshjeje e kuptoi shumë herët se opozitën e ''gjyshit'' nuk e blen dot me karrige ministrore apo favore të vogla. Duhej diçka më e madhe. Duheshin leje ndërtimi për ata që kanë mbiemrin e duhur dhe duheshin paratë që vijnë nga betonizimi i Tiranës pa fund e pa pyetur njeri. Monedha e këtij pazari nuk u bënë as votat, as debatet parlamentare. U bënë kullat e Shkëlzen Berishës dhe pallatet e Jamarbër Malltezit. Djali dhe dhëndri i kreut të opozitës u shndërruan në dy anët e një ekuacioni që mban në këmbë të gjithë skemën.
Kështu funksionon marrëveshja e heshtur që e ka mbajtur Sali Berishën në karrigen e opozitarit numër dy, asnjëherë rrezik real për pushtetin. Lejet vijnë njëra pas tjetrës. Kullat ngrihen pa bujë. Opozita mbetet aty ku është, e zënë me beteja që nuk fitohen kurrë, ndërsa familjarët e liderit të saj ndërtojnë perandori betoni në heshtje. Nëse Zeni është kaq trim, përse nuk ulet vetë në karrigen e kryetarit të PD-së që të provojë sa i vlen lëkura, në vend që të bëjë pazare në kurriz të të atit tetëdhjetëvjeçar.
Për më shumë klikoni në linkun e lajmeve të orës 12.00
Lini një Përgjigje