
Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar nuk ka pranuar kërkesën e SPAK për pushimin e hetimeve ndaj ish-kreut të Komisionit të Prokurimit Publik, Jonaid Myzyri.
SPAK kishte kërkuar mbylljen e procedimit për një prej episodeve penale ku Myzyri akuzohet për “shkelje të barazisë në tendera”. Megjithatë, gjykata ka vlerësuar se kërkesa nuk duhet të pranohet dhe ka vendosur kthimin e çështjes për hetime të mëtejshme.
Sipas vendimit të gjykatës, SPAK-ut i është lënë një afat prej 45 ditësh për të kryer një akt-ekspertim dhe për të plotësuar hetimet në lidhje me këtë dosje.
Kujtojmë se Myzyri u mor i pandehur nga Prokuroria e Posaçme në qershor 2025 për veprën penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, e kryer në bashkëpunim.
Akuza ka të bëjë me tenderin me objekt “Mirëmbajtje rutinë me performancë rruga Rreshen (U.Fanit)- Shpal, Shpal- Q.Bene- K.Hadroj, Shpal-Ura e Repsit”, me gjatësi totale 58.7 km dhe me vlerë rreth 2.2 milionë euro.
Për këtë procedurë prokurimi krahas Jonaid Myzyrajt, janë marrë të pandehur edhe 10 persona të tjerë, 7 prej të cilëve të akuzuar për shkelje e barazisë në tendera publikë, kryer në bashkëpunim.
Lini një Përgjigje