TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet25 Maj 2026, 11:00

Aeroporti i Vlorës, vijon përplasja në dyert e kantierit; Rama, 72 orë afat për ultimatumin e Pacollit

Shkruar nga Pamfleti
Aeroporti i Vlorës, vijon përplasja në dyert e kantierit; Rama,
Ilustrim

Nuk dihet nëse deri në 28 maj do të ketë ose jo një reagim nga institucionet apo Edi Rama, por duket se çdo ditë që kalon i afrohet afatit që Pacolli ka vendosur përpara se t’i drejtohet Gjykatës së Arbitrazhit.

Kryeministri Edi Rama ka edhe 72 orë kohë për të shmangur një padi në Arbitrazh nga Behgjet Pacolli lidhur me Aeroportin e Vlorës. Kreu i Qeverisë ka shmangur çdo koment lidhur me përplasjet e krijuara mes kompanive Mabco të Behgjet Pacolli dhe “2A Group” të Valon Ademit, ndonëse situata ka penguar përfundimin e punimeve.

Përplasja ndërmjet Behgjet Pacollit dhe Valon Ademit ka nisur në vjeshtën e 2025 për administrimin e VIA-s. Palët kishin firmosur një kontratë noteriale, sipas së cilës pjesa e “2A Group” do të rritej nga 2 në 49 për qind, por kjo kontratë nuk u regjistrua në QKB. “2A Group” iu drejtua gjykatës, e cila fillimisht bllokoi veprimtarinë e “Mabco” në Asamble.

Ndërkohë javën e fundit është krijuar një situatë e paprecedentë, ku nënkontraktorët që operojnë operojnë në aeroportin e Vlorës nuk lejohen të hyjnë në kantier, ndërsa siguria private dhe Policia e Shtetit, herë pas here detyrohen të krijojnë gardhe për të shmangur përplasjet e mundshme.

Paraditen e së hënës është përsëritur e njëjta situatë si ajo e 5 ditëve të fundit, ku punonjësit që janë kontraktuar nga Mabco e Pacollit nuk arrijnë të hyjnë në atë që e konsiderojnë si pronën e tyre.

Ndërkohë Behgjet Pacolli ka zgjedhur të reagojë në rrjetet sociale, teksa akuzon institucionet në Shqipëri se po veprojnë në kundërshtim me ligjin duke mbrojtur padrejtësinë sipas tij.

Prapë pengesa, prapë bllokada, prapë privim i njerëzve nga e drejta elementare për të punuar, per te pasur qasje në pronën e tyre!   

Edhe sot po vazhdon e njëjta skenë: njerëzve u mohohet qasja në kantier, në sendet e tyre private, në pajisjet dhe instrumentet e punës, ndërsa Terminali vazhdon të mbahet peng.

Tashmë kemi dëshmi serioze se kompjuterat dhe instrumentet sensitive po vidhen nga grupe që kanë uzurpuar hapësirat ku ndodhen pajisjet e ndijëshme, pajsjet të mjeshtërve, inxhinierëve dhe punëtorëve.

Këto gjëra kanë mbetur pa asnjë përkujdesje, kanë mbetur në mëshirën e atyre që po mbajnë peng një vepër ku investitori Mabco ka investuar qindra miliona euro.

E gjithë kjo po ndodh para syve të Policisë së Shtetit, e cila po pengon qasjen në punë, tash e sa ditë.

Pyetja është e thjeshtë dhe kërkon përgjigje të qartë: kush i ka urdhëruar këto veprime dhe kush po e mban peng këtë proces?

Nëse në këtë vend ka drejtësi, kjo situatë duhet të hetohet menjëherë. Heshtja përballë bllokadës, vjedhjes dhe privimit të pronës nuk është zgjidhje, është përgjegjësi”, thuhet në deklaratën e fundit të Mabco-s, kompanisë së Pacollit.

Në një tjetër reagim të mëparshëm ai shprehet "shkaktarë për këtë turp është dikush që paturpshëm tradhtoi besimin që kishte për mbi 18 vjet e dikush tjetër që punoi për llogari të dikujt!".

"Sot, Aeroporti i Vlorës është faktikisht i bllokuar, me mbi 50 inxhinierë të Mabcos, të cilët prej 6 ditësh gjenden në një gjendje të ngjashme me burgim.

Ky veprim i jashtëligjshëm, fatkeqësisht, po mbrohet nga Policia e Shtetit Shqiptar”, shkruan Pacolli, në rrjetet sociale.

Ai është në vijim të shumë reagimeve të ditëve të fundit, ku më i ashpri ishte ultimatumi që i ka vendosur institucioneve, indirekt Kryeministrit Edi Rama, për t’i dhënë zgjidhje situatës brenda 28 majit, në të kundërt çështja do të kalojë në Arbitrazh.

MABCO i kërkon shtetit shqiptar që deri më 28 maj 2026 të garantojë akses të menjëhershëm dhe të mbrojtur në kantier për MABCO-n dhe stafin e saj, të ndalojë përdorimin e policisë për përjashtimin e investitorit kryesor, të sigurojë lirinë e lëvizjes dhe kushtet bazike për punonjësit dhe specialistët, të ruajë provat, të zhbllokojë pajisjet kritike në dogana, të mos njohë efektet e njoftimeve të kontestuara të datave 14 dhe 21 maj 2026, si dhe të organizojë një takim urgjent institucional me MIE, NjZP, Autoritetin e Aviacionit Civil, Albcontrol, Inxhinierin e Pavarur dhe BKT.

Në mungesë të përmbushjes së këtyre kërkesave deri më 28 maj 2026, MABCO paralajmëron nisjen e arbitrazhit ndërkombëtar kundër Republikës së Shqipërisë sipas Traktatit Dypalësh të Investimeve Zvicër–Shqipëri dhe ndjekjen e të gjitha mjeteve juridike të parashikuara në Marrëveshjen e Koncesionit dhe në ligj”, theksohet në deklaratën publike.

Kompania pretendon se është përjashtuar plotësisht nga kantieri dhe nga kontrolli real i investimit, ndërsa akuzon firmën “2A Group” se po tenton të marrë kontrollin faktik të projektit përmes një administrimi të kontestuar të shoqërisë “Vlora International Airport”. Sipas kronologjisë së paraqitur nga MABCO, më 14 maj 2026 është lëshuar një njoftim për ndërprerjen e marrëdhënieve të ndërtimit, të cilin kompania thotë se e ka refuzuar zyrtarisht më 16 maj.

Nuk dihet nëse deri në 28 maj do të ketë ose jo një reagim nga institucionet apo Edi Rama, por duket se çdo ditë që kalon i afrohet afatit që Pacolli ka vendosur përpara se t’i drejtohet Gjykatës së Arbitrazhit.

MABCO pretendon se vlera ekonomike e vënë në rrezik nga ky bllokim i punimeve varion nga 250 deri në 350 milionë euro. Kjo do të thotë se nëse çështja përfundon në Arbitrazh, Shqipëria rrezikon një faturë të kripur, edhe pse sa herë humbet gjyqet Qeveria, dëgjojmë Kryeministrin të deklarojë se nuk do të paguhet asnjë shumë.

Përplasja mes dy biznesmenëve dhe kompanive respektive që punuan për Aeroportin e Vlorës gjithashtu është zhvendosur edhe në institucionet e drejtësisë. Dosja në fjalë është marrë nga Prokuroria e Tiranës që po kryen hetime, ndërsa Ademi i “2A Group” ka depozituar edhe në Gjykatë një padi lidhur me një kontratë kredie në shumën e 100 milionë euro që “Mabco” ka marrë nga fondi “Delphos”. /Pamfleti/

 

pacolli rama aeroporti perplasja

4 Komente

  1. B
    BP

    2 përqindëshi bën ligjin. Vetëm më Shqipërinë Socialiste!

    1. Po sepse ai 2%_i eshte baza e korrupsionit. Nuk e fi ku hyn qeverija, por sido qofte, “ qeverija “ duhej te nderhynte!

      1. R
        Rfh

        Nuk na kerciti fare.. Nje veper ne Shqiperi ku nenkontraktoret dhe pergjegjesit jane kosovare.. VK

        1. V
          Veton

          Sa pare ke fut qaq perqind i merr ska me 2 perqin mi marr 49 perqind ja ka kojt atina po ne bot ska kjo eshte te hangsh

          Lini një Përgjigje