
Një aksident tragjik është regjistruar mëngjesin e kësaj të hëne në aksin Librazhd-Elbasan, në zonën e Menglit, pranë një shkolle. Një automjet që drejtohej nga një 61-vjeçar ka përplasur një fëmijë 7-vjeçar, i cili si pasojë e plagëve të marra humbi jetën në vendngjarje.
Sipas dëshmive të banorëve, automjeti që u përfshi në ngjarje dyshohet se lëvizte me shpejtësi të lartë, pavarësisht pretendimeve të drejtuesit të mjetit se po udhëtonte me rreth 10 km/h.
Pas aksidentit, banorët e zonës kanë ndërhyrë menjëherë për të nxjerrë fëmijën nga automjeti i përfshirë në ngjarje.
“Shoferi thoshte që është në rrugë nacionale. ‘Kam të drejtën time. Kam qenë më 10 km në orë’, ka thënë shoferi. Në këtë rrugë ka ndodhur dhe një tjetër ngjarje e rëndë. Rruga është bërë shumë e rrezikshme në këtë lagje“, u shpreh një banor i zonës.
Ndërsa një banore tha: “E kanë parë që ishte me shpejtësi maksimale. Edhe pse ka thënë që ishte me 10 km/h. Erdhën gjitha burrat nga lokali, ngritën makinën që nxorën fëmijën. Thirrën ambulancën, nuk erdhi. E morën me makina të rastit dhe e çuan në spital. Ambulanca erdhi pas 15 minutash nga momenti që fëmija u nis në spital. Rruga është shumë e rrezikshme. Bëhen shumë aksidente”.
Aksidenti tragjik ka ndodhur në sy të nënës së fëmijës. 7-vjeçari i është shkëputur nga dora nënës në çastin kur ka tentuar të kalojë rrugën, ndërsa më pas është goditur nga automjeti që po lëvizte në aksin rrugor. Shoferi i automjetit është një 61-vjeçar me inicialet P.B., i cili është shoqëruar nga efektivët.
Lini një Përgjigje