
Lexues të “Pamfleti” ju ftojmë të ndiqni edicionin informativ të mesditës, ku mes të tjerash veçojmë:
U padit për shpifje/ Erion Braçe paraqitet në SPAK
Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, u paraqit në Gjykatën e Posaçme për seancën e radhës në procesin gjyqësor të hapur ndaj tij për akuzën e shpifjes, pas padisë së ngritur nga biznesmeni Anduel Çekrezi.
Padia lidhet me deklaratat publike të Braçes, i cili ka pretenduar se Çekrezi ka marrë tokat e banorëve në zonën e Imshtës në Lushnje për ndërtimin e një parku fotovoltaik. Nga ana tjetër, biznesmeni ka deklaruar se prona është blerë në mënyrë të ligjshme.
Gjatë procesit, Çekrezi ka kërkuar që ndaj deputetit të shtohet edhe akuza për fyerje. Braçe ka kundërshtuar pretendimet, duke deklaruar se në komentet e tij nuk ka përmendur emra konkretë.
Veliaj kundërshtoi arrestin/ Kushtetuesja vendos sot për kryebashkiakun
Gjykata Kushtetuese do të shqyrtojë ditën e sotme kërkesën e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, për të shpallur antikushtetuese masën e parë të “arrestit në burg”, të vendosur nga GJKKO në shkurt të vitit 2025, masë e cila u konfirmua më vonë nga Apeli i GJKKO-së dhe nga Gjykata e Lartë.
Në dhjetëra faqe argumente të dërguara në Gjykatën Kushtetuese, kryebashkiaku Veliaj shprehet se i është cenuar liria individuale, por duke qenë se është Kryetar i Bashkisë, cenimi i lirisë është i dyfishtë, pasi ai nuk mund të ushtrojë detyrën. Veliaj ka argumentuar se masa e vendosur ndaj tij nuk është proporcionale, për shkak se ai jo vetëm që është qytetar, por edhe i zgjedhur sipas Kushtetutës.
Në ankimin e tij, Veliaj thotë se nuk janë analizuar kriteret për vendosjen e masës së sigurimit, pasi, sipas tij, Kodi i Procedurës Penale parashikon që të gjithë, pasi kalon një periudhë kohore, duhet të gjykohen në liri kundrejt një garancie pasurore.
Veliaj deklaron se standardet e një gjykimi të drejtë ndaj tij janë shkelur nga të gjitha shkallët e gjykimit. Gjykata, sipas Veliajt, e ka paragjykuar atë për rrethin shoqëror, statusin dhe pozicionin, por jo duke pasur prova për shkeljet e pretenduara.
Nis zyrtarisht rruga drejt Tiranës/ Gjenerali i Trump për Shqipërinë del sot para Senatit
Sot në orën 16:00 me orën shqiptare, kandidati i Donald Trump për ambasador të Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, gjenerali në pension Eric Wendt, do të dalë para Komisionit të Marrëdhënieve me Jashtë në Senatin amerikan, në një seancë që konsiderohet hapi më i rëndësishëm drejt konfirmimit të tij në Tiranë.
Seanca dëgjimore pritet të fokusohet te marrëdhëniet SHBA-Shqipëri, siguria në Ballkan, bashkëpunimi rajonal dhe roli strategjik i Shqipërisë në NATO, por vëmendja më e madhe është te vetë profili i kandidatit të përzgjedhur nga Trump.
Pas afro tre vitesh pa ambasador amerikan në Tiranë, rikthimi i një emri me profil të fortë ushtarak shihet si sinjal se administrata Trump po kërkon të rikthejë ndikimin e drejtpërdrejtë amerikan në Shqipëri dhe rajon.
Eric Wendt nuk është diplomat karriere. Ai është një nga figurat më të njohura të strukturave speciale amerikane.
Alarm në kroçierën “Marbella Explorer” në Durrës/ Turisti anglez me simptoma të rënda dërgohet me urgjencë në spital
Kapiteneria e Portit Durrës ka marrë një thirrje për ndihmë nga Kroçiera Marbella Explorer II në orën 23:50 rreth
20 milje nga Durrësi, për një shtetas anglez të sëmurë në bord me simptoma të rënda që kërkonin ndërhyrje urgjente.
Kroçiera lundronte nga Korfuzi për në Kotor dhe menjëherë u udhëzua nga Kapiteneria e Portit Durrës që të afrohej në Radë për të marrë të sëmurin si dhe e njoftuan autoritetet dhe Rimorkatori i ASHD për të bërë të mundur marrjen nga rada dhe ambulanca për ta shoqëruar në Spitalin Rajonal të Durrësit.
Në orën 02:30 shtetasi anglez me inicialet C.P. mbërriti në spital nën kujdesin e mjekëve jashtë rrezikut për jetën. Në operacion u angazhua rimorkatori Joni i ASHD me ekuipazhin, FSPD, Policia Kufitare si dhe oficerët dhe Kapiteni i Portit Durrës.
Për më shumë, klikoni në linkun e lajmeve të orës 12.00
Lini një Përgjigje