TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet20 Maj 2026, 11:59

Kërkoi lirimin nga qelia, Kushtetuesja mbyll pa vendim seancën për Erion Veliajn 

Shkruar nga Pamfleti
Kërkoi lirimin nga qelia, Kushtetuesja mbyll pa vendim seancën
Erion Veliaj

Në përfundim të seancës, gjykata nuk shpalli vendim për çështjen.

Gjykata Kushtetuese zhvilloi seancën për kërkesën e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili kundërshton masën e sigurisë “arrest në burg” dhe kërkon shfuqizimin e saj.

Seanca u zhvillua mbi bazën e provave shkresore, pa praninë e Veliajt dhe përfaqësuesve të SPAK në sallë. Në përfundim të seancës, gjykata nuk shpalli vendim për çështjen.

Më herët, palët kishin depozituar argumentet e tyre me shkrim. Mbrojtja e Veliajt paraqiti arsyet pse masa duhet të hiqet, ndërsa SPAK dorëzoi qëndrimin e institucionit lidhur me çështjen.

Në dhjetëra faqe argumente të dërguara në Gjykatën Kushtetuese, kryebashkiaku Veliaj shprehet se i është cenuar liria individuale, por duke qenë se është Kryetar i Bashkisë, cenimi i lirisë është i dyfishtë, pasi ai nuk mund të ushtrojë detyrën. Veliaj ka argumentuar se masa e vendosur ndaj tij nuk është proporcionale, për shkak se ai jo vetëm që është qytetar, por edhe i zgjedhur sipas Kushtetutës.

Në ankimin e tij, Veliaj thotë se nuk janë analizuar kriteret për vendosjen e masës së sigurimit, pasi, sipas tij, Kodi i Procedurës Penale parashikon që të gjithë, pasi kalon një periudhë kohore, duhet të gjykohen në liri kundrejt një garancie pasurore.

Veliaj deklaron se standardet e një gjykimi të drejtë ndaj tij janë shkelur nga të gjitha shkallët e gjykimit. Gjykata, sipas Veliajt, e ka paragjykuar atë për rrethin shoqëror, statusin dhe pozicionin, por jo duke pasur prova për shkeljet e pretenduara.

Nga ana e saj, Prokuroria e Posaçme, e cila ka dorëzuar argumentet e saj, këmbëngul se dyshimi i arsyeshëm është vërtetuar edhe nga gjykatat, ndërsa fakti që ka bashkëpunuar edhe me të tjerët e ka rënduar pozitën e Veliajt. Sipas SPAK-ut, fakti që Veliaj është në detyrë përbën arsye të mjaftueshme për ndikim tek dëshmitarët dhe tek bashkëpunëtori i drejtësisë. Po ashtu, sipas prokurorëve, veprat penale për të cilat Veliaj akuzohet rezultojnë të vërtetueshme nga një sërë provash konkrete.

Kjo është hera e dytë që Veliaj i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese, pasi në janar të këtij viti ai u rikthye në detyrë nga Kushtetuesja, pasi ishte shkarkuar nga Këshilli Bashkiak. Kushtetuesja tha aso kohe se shkarkimi i Veliajt ishte tërësisht jokushtetues, pasi e gjithë procedura ishte bërë në shkelje, duke mos i dhënë mundësi atij të dëgjohej.

kerkesa e veliajt per lirimin nga qelia

Lini një Përgjigje