TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet20 Maj 2026, 10:08

Ndalimi i efektivit të policisë në Sarandë, Prokuroria: Hetimet lidhen me një çështje droge

Shkruar nga Pamfleti
Ndalimi i efektivit të policisë në Sarandë, Prokuroria:
Ndalimi i efektivit të policisë në Sarandë

Prokuroria e Sarandës ka reaguar lidhur me ndalimin e oficerit të policisë gjyqësore, Edmond Ruçi, i arrestuar një ditë më parë në kuadër të një hetimi për narkotikë.

Sipas organit të akuzës, procedimi lidhet me një rast droge të zbuluar pas arrestimit të shtetasve Adriel Zanaj dhe Keivin Duro më 19 maj. Dy të rinjtë u kapën në automjet me 24 doza të lëndës narkotike cannabis sativa.

Gjatë hetimeve për këtë çështje, Prokuroria thotë se kanë lindur dyshime për përfshirje në veprimtari të kundërligjshme edhe nga oficeri i policisë gjyqësore që po ndiqte rastin.

Sipas njoftimit zyrtar, pas veprimeve hetimore janë siguruar prova dhe të dhëna që implikojnë oficerin në veprime të dyshuara korruptive. Për këtë arsye, ndaj tij është lëshuar urdhër ndalimi për veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

“Gjatë hetimit të këtij rasti, lindën dyshime për përfshirje në veprimtari të kundërligjshme nga oficeri i policisë gjyqësore që po hetonte rastin në fjalë, shtetasi E.R.”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Njoftim i Prokurorisë Sarandë:

Hetimet e Prokurorisë Sarandë për një çështje për ‘Prodhimin e shitjen e narkotikëve’ çojnë në ndalimin e oficerit të policisë, i dyshuar për përfshirje në korrupsion pasiv

Një oficer i policisë gjyqësore në Sarandë, shtetasi E.R., është ndaluar me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Sarandë, i dyshuar për veprën penale ‘Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike’, parashikuar nga neni 259/2 i Kodit Penal.

Ndalimi u krye në vijim të hetimeve për procedimin penal nr.305, datë 19.05.2026, i regjistruar për veprën penale te “Prodhimi dhe shitja e narkotikeve” parashikuar nga neni 283/2 i Kodit Penal në ngarkim të shtetasve K.D. dhe A.Z., pasi në automjetin e drejtuar nga shtetasi A.Z., u gjetën dhe sekuestruan 24 doza me lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa. Këta shtetas u arrestuan në flagrancë dhe hetimet po vijojnë.

Gjatë hetimit të këtij rasti, lindën dyshime per përfshirje në veprimtari të kundraligjshme nga oficeri i policisë gjyqësore, që po hetonte rastin në fjalë, shtetasi E.R.

Për rrjedhojë, nga ana e prokurorit të gatshëm, u kryen veprime hetimore, nga ku rezultuan të dhëna për përfshirjen e oficerit që heton çështjen në vepime të dyshuara korruptive dhe ndaj tij u procedua me urdhër për ndalimin e të dyshuarit për një krim per veprën penale te “Korrupsioni pasiv i personave qe ushtrojnë funksione publike” prashikuar nga neni 259/2 i Kodit Penal.

Oficeri i policisë gjyqësore është ndaluar nga shërbimet e AMP dhe hetimet po vijojnë.

 

prokuroria sarande çështje droge

Lini një Përgjigje