
Lexues të “Pamfleti” ju ftojmë të ndiqni edicionin informativ të mesditës, ku mes të tjerash veçojmë:
Zjarri në pallatin pranë QSUT
Merren në pyetje 5 fëmijët që u kapën nga kamerat ku nisën flakët
Prokuroria e Tiranës ka marrë në pyetje pesë fëmijët lidhur me hetimin për rënien e zjarrit në pallatin pranë QSUT me 14 Prill.
Fëmijët e pyetur janë regjistruar nga kamerat e sigurisë pranë koshit me kartona, që dyshohet të ketë qenë vatra e zjarrit.
Pyetja e të miturve, banorë të pallatit, është bërë në prani të psikologëve dhe prindërve.
Ata kanë treguar se nuk bënë asgjë me paramendim. Ata kanë prerenduar se kanë parë pranë koshit me kartona një vazo që nxirrte tym.
Sipas burimeve pranë grupit të hetimit, ende nuk ka përfunduar aktekspertimi shkencor mbi shkakun e zjarrit.
Deri më tani, për ngjarjen janë duke u hetur në masën e sigurisë "detyrim për paraqitje" Razie Sula, Agron Cara, Enver Ademi dhe Altin Furtuna për "shkelje të rregullave për mbrojtjen nga zjarri".
Incidenti ndodhi më 14 prill, ku si pasojë e zjarrit që përfshiu pallatin u shkrumbuan 30 apartamente.
Mashtrimet me Call Center-at
“Të përfshirë edhe zyrtarë, institucionet në dijeni”
Gazetari Elton Qyno ka hedhur akuza të forta lidhur me funksionimin e skemave mashtruese përmes call center-ave në Shqipëri, si dhe rolin e institucioneve shtetërore përballë këtij fenomeni.
Qyno deklaroi se mijëra të rinj janë përfshirë në aktivitete mashtruese që synojnë qytetarë jashtë vendit, duke përdorur databaza të mëdha me të dhëna personale, të cilat, sipas tij, janë siguruar në mënyrë të paligjshme.
Gazetari ngriti pikëpyetje mbi qëndrimin e institucioneve shqiptare, duke sugjeruar se mungesa e ndërhyrjes lidhet me faktin që viktimat ndodhen jashtë vendit dhe nuk ka denoncime direkte në Shqipëri. Sipas tij, kjo ka krijuar një klimë tolerance ndaj aktivitetit të paligjshëm.
Gazetari aludoi gjithashtu për përfitime të mundshme nga struktura të ndryshme shtetërore, përfshirë policinë dhe administratën tatimore, duke theksuar se mund të ketë dijeni për aktivitetin. Ai përmendi gjithashtu edhe një rast të emërimit në administratë, duke theksuar se një person i lidhur me këtë fenomen ishte bërë pjesë e institucioneve shtetërore.
Paralajmërimi i juristit
“Hyrja e Shqipërisë në BE do dyfishojë emigracionin e do rrisë çmimet”
Juristi Kreshnik Spahiu është shprehur se hyrja e Shqipërisë në Bashkimin Europian do të dyfishojë emigracionin nga vendi jonë në drejtim të shteteve të BE-së.
Ai tha se një fluks i madh largimesh nga vendi ndodhi edhe në Kroaci, pasi ky shtet u bë pjesë e BE-së.
Më tej Spahiu deklaroi se nëse vendi ynë do të hyjë në BE, shqiptarët duhet të përgatiten për një rritje ‘të fortë’ të çmimeve dhe rrënim të prodhimit vendas.
Megjithatë, sipas Spahiut, pavarësisht këtyre paralajmërimeve, Shqipëria po ecën me ritme të shpejta në procesin e integrimit në Unionin Europian.
“Propozimin e bëri Lapaj”
Mediu zbulon negociatat e opozitës për ndryshimet në sistemin zgjedhor
Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, ka folur lidhur me propozimin e opozitës që të ndryshohet sistemi zgjedhor.
Pak ditë më parë u bë me dije se PD dhe partitë e vogla opozitare kanë rënë dakrod për sistem proporcional kombëtar me lista të hapura dhe koalicione parazgjedhore.
Mediu në “Euronews” u shpreh propozimi erdhi nga partia Lëvizja “Shqipëria Bëhet” e Adriatik Lapajt. Ai theksoi se ky është një propozim i cili ka qenë prej kohësh në tryezë dhe është një propozim i mirëpritur.
Sot ditë zie kombëtare në Kosovë
Për më shumë, klikoni në linkun e lajmeve të orës 12.00
Lini një Përgjigje