TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet24 Prill 2026, 07:36

Mashtrimet me Call Center-at, Qyno: Të përfshirë edhe zyrtarë, institucionet në dijeni

Shkruar nga Pamfleti

Mashtrimet me Call Center-at, Qyno: Të përfshirë edhe

Gazetari Elton Qyno ka hedhur akuza të forta lidhur me funksionimin e skemave mashtruese përmes call center-ave në Shqipëri, si dhe rolin e institucioneve shtetërore përballë këtij fenomeni.

Qyno deklaroi se mijëra të rinj janë përfshirë në aktivitete mashtruese që synojnë qytetarë jashtë vendit, duke përdorur databaza të mëdha me të dhëna personale, të cilat, sipas tij, janë siguruar në mënyrë të paligjshme.

“Ngrihen 30 mijë të rinj edhe fillojnë e mashtrojnë. Kush e ha, e ha, kush s’e ha, vazhdohet me tjetrin, radhazi. E kanë një database shumë të madhe që e kanë marrë nëpër këto bankat, kush ka llogari bankare jashtë edhe fillojnë këta telefonatat pafund”, u shpreh Qyno.

Gazetari ngriti pikëpyetje mbi qëndrimin e institucioneve shqiptare, duke sugjeruar se mungesa e ndërhyrjes lidhet me faktin që viktimat ndodhen jashtë vendit dhe nuk ka denoncime direkte në Shqipëri. Sipas tij, kjo ka krijuar një klimë tolerance ndaj aktivitetit të paligjshëm.

“Por puna është që çfarë bëjnë institucionet shqiptare, sepse ata e dinë që të gjithë që kjo është gjë e paligjshme. Dhe fakti që këta e kanë sjellë këtë skemë këtu, kjo tregon që përderisa shqiptarët nuk preken nga kjo histori mashtrimi, dhe këta mashtrojnë jashtë, le të vazhdojnë”, tha ai për "Syri TV".

Gazetari aludoi gjithashtu për përfitime të mundshme nga struktura të ndryshme shtetërore, përfshirë policinë dhe administratën tatimore, duke theksuar se mund të ketë dijeni për aktivitetin.

“Kjo është politika dhe filozofia e vetë qeverisë, të paktën sa e kuptojmë. Mashtrohen jashtë shtetit, s’ka denoncime këtu në Shqipëri. Punohen të rinjtë, janë mirë me lekë… Policia apo vetë e merr dhe haraçin e vet. Tatimet po ashtu, edhe struktura të tjera. Pra të gjithë janë të kënaqur”, deklaroi gazetari.

Ai përmendi gjithashtu edhe një rast të emërimit në administratë, duke theksuar se një person i lidhur me këtë fenomen ishte bërë pjesë e institucioneve shtetërore.

“E emëroi qeveria. Ky u bë këshilltar i Olta Xhaçkës te Ministria e Mbrojtjes në atë kohë, edhe u hoq prej andej vetëm për shkak të presionit të medias”, shtoi Qyno.

Lini një Përgjigje