Të tjera detaje mësohen në lidhje me arrestimin e ish-deputetit të PS-së, Jurgis Çyrbja.
Dyshohet se ai ka pasur komunikime në Sky me personazhe të botës së krimit. Bashkë me Çyrbjen, mësohet se në pranga ka rënë edhe Ahmet Masha, njohur me pseudonimin “Meçe”. Një tjetër shtetas është shpallur në kërkim. Ish-deputeti arrestuar në Durrës dhe ka qenë në shoqërinë e shoferit të tij, duke udhëtuar me makinë.
SPAK konfirmoi 3 akuza ndaj Çyrbjas, por pa dhënë detaje të hollësishme, të cilat tha se do i ndajë ditën e nesërme. Akuzat janë: “Korrupsion aktiv zgjedhor”, “përkrahje e autorit të krimit” dhe “tregtimi i sekretit shtetëror”.
Ditën e sotme, Prokuroria pritet të kryejë veprime të tjera proceduriale, teksa sipas Kodit Penal ai duhet të dalë në GJKKO për konfirmimin e masës së sigurisë "arrest me burg", mbi bazën e të cilës edhe u ndalua dje (20 Tetor).
SPAK do dërgojë dosjen në Gjykatë për të kërkuar konfirmimin e arrestit, me veprat penale të tregtimit të sekretit shtetëror, korrupsionit zgjedhor dhe përkrahje të autorit të krimit.
Arrestimi i ish-ligjvënësit u bë pak ditë pasi dorëzoi mandatin si deputet i PS dhe pasi SPAK i komunikoi marrjen si të pandehur për shpërdorim detyre në lidhje me kohën kur ka drejtuar Hipotekën e Durrësit.
Ish-deputeti u arrestua teksa ishte duke udhëtuar me makinë në Durrës bashkë me kunatin e vëllait, kur u arrestuan nga forcat e policisë. Mësohet se për dosjen penale po kërkohen edhe disa persona të tjerë të implikuar.
Çyrbja dyshohet se ka dalë në komunikime në platformën e koduar Sky ECC me grupin kriminal për të cilin akuzohet se ka lidhje. Prokuroria deklaroi se sot (21 Tetor) do të japë më shumë detaje rreth çështjes.
Mediat raportojnë se arrestimi ka lidhje me një tjetër çështje dhe jo me atë të denoncimit nga deputeti demokrat Edi Paloka, e për të cilën është marrë “i pandehur”. Ish-ligjvënësi akuzohet edhe për kohën kur ka drejtuar Hipotekën e Durrësit. Sipas të njëjtave burime dyshohet se Çyrbja ka pasur lidhje me një grup kriminal në Durrës, ndaj edhe është ndaluar. Dyshohet për komunikime në platformën e koduar SKY ECC pikërisht me këtë grup.
Bëhet fjalë për një vepër penale të kryer në 2016. Gjatë kohës që Çyrbja drejtonte Hipotekën e Durrësit, ai është marrë në pyetje nga Prokuroria e Krimeve të Rënda në atë kohë, pasi dyshohej se kishte favorizuar Emiljano Shullazin për të përfituar prona në Durrës.
Lini një Përgjigje