Jo vetëm SPAK, edhe prokuroritë e rretheve mijëra persona në përgjim...
Përgjimet telefonike dhe monitorimi elektronik po kthehen në një nga armët kryesore të drejtësisë shqiptare në luftën kundër krimit. Të dhënat e kombinuara nga Prokuroria e Përgjithshme dhe SPAK për vitin 2025 tregojnë një zgjerim të ndjeshëm të përdorimit të këtyre metodave, duke çuar në mijëra pajisje dhe persona nën survejim.
Vetëm nga prokuroritë e rretheve, gjatë vitit 2025 janë ekzekutuar 822 vendime gjykate për përgjime dhe 406 autorizime të prokurorëve. Në total, janë interceptuar 1771 pajisje fundore që përdoreshin nga 1642 persona të dyshuar për përfshirje në vepra të rënda penale, nga krimet kundër jetës, korrupsioni, trafiku i drogës, deri tek pastrimi i parave dhe krimi i organizuar.
Në kuadër të këtyre hetimeve, përmes mjeteve të posaçme janë arrestuar ose ndaluar 236 persona, çka sipas Prokurorisë ka ndihmuar në “parandalimin e pasojave të mëtejshme për shtetin dhe shtetasit”.
Por pesha kryesore e përgjimeve duket se zhvendoset tek SPAK. Sipas raportit të Prokurorisë së Posaçme, gjatë vitit 2025 janë interceptuar 3004 pajisje fundore, duke e çuar në mbi 4,700 numrin total të pajisjeve të përgjuara nga të gjitha strukturat e ndjekjes penale në vend.
Përgjimet në SPAK nuk kanë shërbyer vetëm për hetimet ekzistuese. Në disa raste, nga komunikimet e interceptuara janë zbuluar vepra të reja penale, duke çuar në hapjen e procedimeve të tjera, një tregues i thellimit të hetimeve dhe zgjerimit të rrjeteve kriminale nën vëzhgim.
Paralelisht, Byroja Kombëtare e Hetimit ka ngritur Seksionin e Përgjimit Parandalues dhe ka zgjeruar ndjeshëm aksesin në databaza, duke arritur në 22 databaza kombëtare dhe 3 ndërkombëtare. Negociatat vijojnë për akses në platforma të tjera, përfshirë rrjetin evropian EMPACT.
Ndërkohë, SPAK po investon fuqishëm në teknologji të reja përgjimi. Vetëm për vitin 2025 janë miratuar projekte me vlerë 5.1 milionë euro, që synojnë rritjen e kapaciteteve të monitorimit elektronik.
Një nga elementët kryesorë është pajisja IMSI Catcher, me vlerë rreth 1.8 milionë euro, e cila mundëson identifikimin dhe lokalizimin e telefonave celularë në një zonë të caktuar, edhe kur përdoren karta SIM të ndryshme apo pajisje të përkohshme.
Panorama që del nga këto të dhëna është e qartë: përgjimi është kthyer në shtyllën kryesore të hetimeve penale në Shqipëri. Nga prokuroritë e rretheve te SPAK, mijëra qytetarë dhe pajisje kanë qenë nën monitorim gjatë vitit 2025, në një përpjekje për të goditur krimin në nivele të ndryshme.
Por rritja e këtij instrumenti ngre edhe pyetje mbi balancën mes efektivitetit në luftën kundër krimit dhe garantimit të të drejtave të qytetarëve, në një kohë kur teknologjia e survejimit po bëhet gjithnjë e më e avancuar dhe më e pranishme në hetimet penale. /Pamfleti
Hiqni dorë nga përgjimet pa patur prova ligjore