Zyrtarja e Ministrisë së Bujqësisë në Maqedoninë e Veriut dënohet me 10 muaj burg për abuzime me fondet IPARD...
Shqipëria vijon të mbetet “delja e zezë” lidhur me abuzimet e fondeve të BE.
Brukseli prej muajsh kërkon masa të forta dhe përgjegjësi për abuzimet fondet e IPARD, por si qeveria ashtu edhe drejtësia kanë dështuar në këtë aspekt. Fondet vijojnë të jenë të bllokuara për shkak se Brukseli nuk është ende i bindur se ato do të përdoren drejt nga qeveria "Rama".
Por ndryshe ndodh me vendet e tjera të rajonit, të cilat tregojnë nga dita në ditë se kush abuzon me fondet e BE do të përballet me pasoja.
Sot në Maqedoninë e Veriut, një zyrtare e Ministrisë së Bujqësisë, Jasmina Kostadinova, është dënuar me 10 muaj burg pasi pranoi se kishte marrë para për programin IPARD.
Përveç dënimit me burg, është vendosur edhe konfiskimi i 8.000 eurove, të sekuestruara nga organet hetimore gjatë kontrolleve.
Ky rast korrupsioni nuk përfundon vetëm me Kostadinovën, pasi hetimi përfshin edhe profile të tjera të larta dhe ish-zyrtarë, përfshirë ish-drejtorin e Agjencisë për Mbështetje Financiare në Bujqësi dhe Zhvillim Rural, si dhe një ish-ministër në qeveri.
Një skandal i ngjashëm shpërtheu pak javë më parë edhe në Greqi. Pas një hetimi nga Prokuroria Evropiane, u zbulua se kishte abuzime me fondet e bujqësisë. Hetimi i çështjes lidhet me ngjarje që datojnë në vitin 2021 dhe përfshin akuza të rënda, duke përfshirë nxitje për shpërdorim detyre, mashtrim kompjuterik dhe falsifikim dokumentesh me qëllim përfitimi të paligjshëm.
Ky skandal i madh tronditi skenën politike në Greqi, duke çuar në dorëheqjen e 2 ministrave dhe 1 zëvendësministri. Po ashtu, u është hequr imuniteti disa deputetëve të përfshirë në skandal.
Por vetëm në Shqipëri dosja IPARD mbahet ende pezull. Në qershor 2021, Komisioni Evropian, përmes Zyrës Anti-Mashtrim (OLAF), i dërgoi një kallëzim penal SPAK-ut dhe një konstatim zyrtar kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar ish-ministren dhe ish-kryetaren e AZHBR, Frida Krifcën, për abuzime masive me fondet IPARD II të destinuara për fermerët shqiptarë. Në vend që të merrte masa, Edi Rama e shpërbleu me post ministror, emërim që shkaktoi reagim të ashpër nga Brukseli. Qeveria shqiptare premtoi verifikime dhe bashkëpunim me OLAF-in, por realisht nuk ndërmori asnjë veprim konkret.
Aktualisht, SPAK thuhet se është drejt mbylljes së dosjes, por nuk ka akoma një akuzë konkrete ndaj Krifcës apo emrave të tjerë të përfshirë. Vetë krifca dhe disa bashkëpunëtorë të saj janë marrë në pyetje, por kemi gati 5 vite që hetimet janë në fazë paraprake. Ndërkohë ndryshe veprojnë fqinjët./Pamfleti
Lini një Përgjigje