
Ju ftojmë të ndiqni Edicionin Informativ me zhvillimet kryesore deri në këtë orë të ditës, ku ndër të tjera veçojmë:
Në Ditën e Dëshmorëve, presidenti Bajram Begaj dhe kryeministri Edi Rama zhvilluan homazhe te memoriali “Nëna Shqipëri”, ndërsa u nderuan edhe efektivët e policisë të rënë në detyrë. Drejtori i Policisë, Skënder Hita, theksoi se uniforma përfaqëson sakrificë dhe përgjegjësi.
Parlamenti Europian miratoi raportin për Shqipërinë, duke vlerësuar progresin drejt BE-së, por duke kërkuar reforma të thella, luftë ndaj korrupsionit, depolitizim të administratës dhe forcim të shtetit ligjor.
Në planin e brendshëm, Gjykata Kushtetuese po shqyrton kërkesën e PD për ngritjen e dy komisioneve hetimore, ndërsa tensionet në opozitë vijojnë: Sali Berisha garon i vetëm për kreun e PD dhe mohon ndërhyrje në proces, ndërkohë që Ervin Salianji e akuzon për mungesë transparence dhe kërkon publikimin e një dosjeje të ndjeshme.
Në drejtësi, Fatmir Mediu kundërshton akuzat e SPAK për çështjen e Gërdecit, ndërsa ish-gjyqtari Ervin Metalla fitoi në Strasburg, ku shkarkimi i tij u cilësua i paligjshëm. Ndërkohë, Gjykata e Durrësit la në burg shoferin e aksidentit tragjik që i mori jetën dy fëmijëve.
Në aktualitet, zbulohet një rrjet i madh mashtrimi me call center nga Tirana që ka përfituar miliona euro në Europë, ndërsa në Kosovë Vjosa Osmani nuk konfirmon ende nëse do të kandidojë në zgjedhjet e 7 qershorit.
Në arenën ndërkombëtare, Donald Trump deklaron se SHBA “e ka fituar luftën” me Iranin, duke rritur tensionet globale.
Lini një Përgjigje