Rreth 40 deri në 50 persona paraqiten çdo ditë në QSUT me simptoma alergjie, në një periudhë që përkon me kulmin e sezonit. Mjekët vërejnë shtim të vazhdueshëm të rasteve nga viti në vit.
Alergjitë e lidhura me polenet janë më të shprehura gjatë kësaj kohe, sidomos për shkak të përhapjes së barërave dhe ndryshimeve klimatike. Mjekët theksojnë se këto grimca ndikojnë jo vetëm në rrugët e sipërme të frymëmarrjes, por edhe në mushkëri, duke shkaktuar vështirësi në frymëmarrje dhe raste të theksuara të azmës bronkiale.
“Tani jemi në periudhën e madhe të sezonit alergjik, një sezon i lidhur nga barishtet e këqija ose graset. Padiskutim që ka rritje të rasteve nga viti në vit ka rritje të dukshme të rasteve me alergji”, thotë mjeku alergolog, Mehmet Hoxha.
Simptomat më të zakonshme përfshijnë rrufë, teshtima, kruarje dhe bllokim të hundëve, si dhe kollë irrituese. Në disa pacientë shfaqen edhe shenja të azmës, si fishkëllimë gjatë frymëmarrjes dhe ndjesi shtrëngimi në gjoks.
Mjekët këshillojnë shmangien e kontaktit me polenet, veçanërisht gjatë orëve të paradites deri në mesditë. Ata kërkojnë që pacientët të mos përdorin barna pa konsultë dhe të kryejnë vlerësim të specializuar për të vendosur diagnozë të saktë.
Alergjitë sezonale prekin më shpesh të rinjtë dhe kërkojnë trajtim të kontrolluar për të shmangur përkeqësimin e gjendjes.
Lini një Përgjigje