Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës (TIA) ka bërë të ditur se nuk ka mungesë karburanti për avionët dhe se të gjitha fluturimet po zhvillohen sipas planifikimit.
Në një njoftim zyrtar, autoritetet aeroportuale sqarojnë se operimet vijojnë normalisht, ndërsa furnizimi me karburant është i garantuar, duke siguruar vazhdimësi të plotë dhe të sigurt për të gjitha linjat ajrore.
"Fluturimet në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës vijojnë normalisht. Të gjitha operimet po zhvillohen sipas planifikimit, ndërsa furnizimi me karburant garanton vazhdimësi të plotë dhe të sigurt të shërbimit për të gjitha linjat ajrore. Prioriteti ynë mbetet gjithmonë siguria dhe një eksperiencë e besueshme për çdo pasagjer", thuhet në njoftim.
Ky reagim vjen në një kohë kur shqetësimet për furnizimin me karburant janë rritur për shkak të zhvillimeve në Lindjen e Mesme, të cilat kanë ndikuar në tregjet globale të energjisë. Sipas raportimeve, rritja e kostove të karburantit ka bërë që disa kompani të mëdha ajrore të kufizojnë një pjesë të fluturimeve të tyre.
Pak ditë më parë, edhe Bashkimi Europian u bëri thirrje turistëve dhe udhëtarëve që të vijojnë me planet e tyre të udhëtimit, duke theksuar se nuk ka mungesë karburanti për avionë dhe se pasagjerët do të mbrohen në rast të ndërprerjeve të mundshme.
Deri më tani, sipas TIA-s, situata në aeroportin e Tiranës mbetet e qëndrueshme dhe pa ndikim në oraret e fluturimeve.
Ku e di TIA që nuk ka probleme karburanti? Apo Çeti është pronar i BP dhe di sa produkt kanë. Sepse kompanitë që ofrojnë shërbimin e Jet A1 janë private dhe nuk janë pjesë e aeroportit. Përveç BP që ofron karburant me çmim të lartë dhe ka pronar Çetin me Agaçin