TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet22 Janar 2026, 17:53

Skandali me ndërprerjen e energjisë, QSUT tenton ta justifikojë pas 4 ditësh me video të parapërgatitura

Shkruar nga Pamfleti
Skandali me ndërprerjen e energjisë, QSUT tenton ta justifikojë
Momente nga zhvendosja e pacientëve kur u ndërpre energjia

Katër ditë pas territ skandaloz në QSUT, drejtoria e këtij institucioni të rëndësisë jetike vendosi më në fund të “reagojë”.

Por jo për të dhënë përgjigje publike për pyetjet që lindën natën e 19 janarit, kur reanimacioni qëndror mbeti pa energji elektrike, duke vendosur në rrezik jetën e pacientëve të intubuar.

Reagimi erdhi përmes një videoje të parapërgatitur, me skenar në dorë dhe pa praninë e asnjë gazetari, ku drejtori i shërbimeve të mirëmbajtjes, Erjon Ngjelo, përsëriti të njëjtat fraza zyrtare: “Asnjë pacient nuk u rrezikua”.

Por ndryshe flasin vetë dëshmitarët e natës kur ndodhi ndërprerja; mjekë, infermierë dhe familjarë që u përballën me panik, improvizime dhe frikën se aparaturat jetike do ndalonin. Ata rrëfejnë për zhvendosje urgjente të pacientëve nga reanimacioni në një shërbim tjetër, nën dritat e celularëve dhe me pasigurinë se backup-et nuk do të mbanin më shumë.

Përveç justifikimeve teknike, QSUT nuk dha asnjë shpjegim se përse ky institucion sot nuk ka një kompani të kontraktuar për mirëmbajtjen e gjeneratorëve. Po ashtu, mungon çdo informacion se kur është testuar për herë të fundit funksionaliteti i pajisjeve të emergjencës. Heshtja mbi këto fakte tregon jo vetëm papërgjegjshmëri institucionale, por edhe përpjekjen për të manipuluar publikun me një video sterile, ndërsa realiteti i asaj nate flet për kolaps total.

Ky është një dështim që nuk mund të mbulohet me fraza propagandistike. Kur reanimacioni i QSUT mbetet pa drita, është sistemi që ka rënë, jo thjesht një gjenerator. Dhe kur drejtoria mban qëndrim propagandistik në vend të transparencës, kemi të bëjmë me një kulturë të rrezikshme të fshehjes dhe papërgjegjësisë. Për fat, nuk pati viktima. Por vetëm fati nuk është strategji shëndetësore.

Lini një Përgjigje