
Sektori i transportit publik në Shqipëri ka hyrë në një fazë të vështirë, ndërsa nga dita e sotme ka nisur zbatimi i reduktimit me 40% të flotës së autobusëve në Tiranë, sipas paralajmërimit të bërë një ditë më parë nga shoqatat e operatorëve.
Vendimi është reflektuar menjëherë në terren, ku janë raportuar vonesa të shumta dhe rritje e ndjeshme e fluksit të qytetarëve në stacione.
Dhjetëra persona janë detyruar të presin gjatë për transport, ndërsa disa kanë hasur vështirësi për të mbërritur në kohë në destinacionet e tyre.
Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas dhe Shoqata e Transportit Urban dhe Interurban argumentojnë se kjo masë vjen si pasojë e mungesës së reagimit institucional ndaj kërkesave të tyre, veçanërisht për përballimin e rritjes së çmimeve të karburantit. Sipas tyre, deri tani nuk është miratuar asnjë skemë kompensimi dhe mungon një plan konkret për lehtësimin e barrës financiare.
“Kjo mungesë reagimi dhe veprimi konkret ka përkeqësuar ndjeshëm situatën financiare të operatorëve, të cilët ndodhen tashmë në kushte tejet të vështira për të përballuar vazhdimin e aktivitetit. Për pasojë, ju bëjmë me dije se, duke filluar nga nesër do të reduktojmë numrin e mjeteve në qarkullim duke e ulur me 40% flotën në shërbimin e transportit publik, si një masë e detyruar për përballimin e kësaj situate emergjente.”, deklaruan shoqatat.
Operatorët theksojnë se, pavarësisht diskutimeve të mëhershme me institucionet, përfshirë një takim më 1 prill 2026, nuk është marrë asnjë vendim konkret për mbështetjen e sektorit. Ata ngrenë shqetësime edhe për mungesën e hapave për rishikimin e elementeve fiskale si akciza, taksa e qarkullimit dhe TVSH-ja, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në kostot operative.
Ndërkohë, shoqatat shprehen të hapura për dialog, por kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme dhe efektive. Ato u bëjnë thirrje qytetarëve për mirëkuptim dhe të planifikojnë paraprakisht lëvizjet e tyre, në kushtet e një shërbimi të reduktuar.
Lini një Përgjigje