Zjarr në kompleksin pranë 'Farmacia 10' në Tiranë ka shkaktuar dëme të konsiderueshme në disa prej pallateve. Flakët, që dyshohet se nisën në katin e parë të një ambienti biznesi, prekën rreth 30 apartamente.
Shkaku i zjarrit mbetet ende i paqartë, ndërsa fasada e ndërtesës, e përbërë nga dy shtresa, është djegur pothuajse plotësisht në pjesën e jashtme, duke dëmtuar edhe shtresën e brendshme. Pamjet nga vendngjarja tregojnë një skenë të rëndë, me strukturën e nxirë, mbetje të shpërndara dhe tym që vazhdon të dalë.
Fillimisht u raportua për disa persona të lënduar, ndërsa drejtori i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, konfirmoi se gjashtë persona janë trajtuar në spital, mes tyre katër zjarrfikës. Një qytetar dhe efektivët janë dërguar në toksikologji, ndërsa një banore ka pësuar djegie në rreth 15% të trupit. Të gjithë ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Në operacionin për shuarjen e flakëve morën pjesë tetë mjete zjarrfikëse, dy helikopterë Cougar si dhe rreth 50 forca nga ushtria dhe emergjencat civile.
Banorët kanë treguar për mediat se zjarri i ka zuri të papërgatitur, pavarësisht se në zonë ka pasur edhe më herët incidente të ngjashme.
Ata thonë se prej kohësh kishin kërkuar marrjen e masave për rritjen e sigurisë, por pa rezultat. Në përpjekje për të shpëtuar situatën, një familjar i njërit prej banorëve ka tentuar të ndërhyjë dhe të hapë një dalje emergjence, ndërsa të tjerë janë përpjekur të shpëtojnë sendet e tyre më të vlefshme, por pa sukses. Një tjetër shqetësim i ngritur prej tyre lidhet me mungesën e sigurimit të pronës.
Banorët pretendojnë se kishin paguar një shumë të konsiderueshme ndaj pronarit për sigurimin e godinës, por rezulton se banesat nuk ishin të mbuluara nga siguracioni. Banorët jashtë kamerave shprehen se “Na është djegur jeta”.
Kush i jepte lejet e ndërtimit në shkelje të ligjit mbi urbanistikën. Leje për pallate byth më byth jepen vetëm kur përfituesit ndajnë interesa të përbashkëta. Nuk është një rast. Prokuroria duhet të hetojë.
Përshëndetje, Ai Zjarrfikësi që shpëtoi jetë njerëzish duke hequr kapelën mbrojtësi nga koka e vet dhe duke e vënë në kokën e banorës, duhet dekoruar dhe shpërblyer konsiderueshëm! Qoftë i bekuar!