Reagim të tepruar e ka cilësuar aktivisti Migen Qiraxhi, kundërpërgjigjen e forcave të policisë ndaj protestuesve, në protestën e organizuar pasditen e së shtunës në Tiranë, ku u regjistruan një seri incidentesh dhe përplasjesh.
Nga studio e emisionit “Terminal” në A2CNN, Qiraxhi deklaroi se Policia e Shtetit nuk e menaxhoi mirë situatën në protestën e sotme të Partisë Demokratike.
“Mendoj që nuk ishte një situatë e menaxhuar mirë nga Policia e Shtetit. Dukshëm disa veprime të tyre ishin në tejkalim të proporcionalitetit”, tha Qiraxhi.
Ndërsa në lidhje me protestën në vetvete, aktivisti u shpreh se “ajo që më shqetëson është se Partisë Demokratike duket se i ka ngelur makina e kohës. Edhe presin që nga të njëjtat veprime të kenë rezultate të ndryshme. Është e vështirë të evidentohet strategjia politike e kësaj force kur sheh këtë lloj sjelljeje”.
Sipas tij, “edhe gjuha e komunikimit është e njëjta” dhe vështirë se do të prodhojë rezultate.
Lini një Përgjigje