
Policia e Shtetit ka reaguar zyrtarisht pas protestës së mbajtur këtë të shtunë në Tiranë, e thirrur nga Partia Demokratike, duke konfirmuar se gjatë zhvillimit të saj kanë ndodhur disa episode dhune, ku janë dëmtuar 11 efektivë policie.
Sipas njoftimit, punonjësit e rendit janë lënduar nga hedhja e mjeteve piroteknike, sendeve të forta dhe bombave molotov, si para Kryeministrisë, ashtu edhe para Kuvendit të Shqipërisë. Të lënduarit po marrin ndihmën mjekësore në Spitalin e Traumës dhe në repartin e djegieve, ndërkohë që janë vizituar nga drejtues të Policisë së Tiranës.
Pavarësisht thirrjeve të përsëritura për ndalim të dhunës, policia njofton se aktet e rënda vazhduan, çka solli ndërhyrjen për shpërndarjen e turmës sipas ligjit.
Reagimi i policisë
Gjatë tubimit të sotëm, të thirrur dhe organizuar nga Partia Demokratike, si pasojë e sulmeve me molotov, lëndë piroteknike dhe sende të forta para Kryeministrisë dhe sallës së Kuvendit, janë dëmtuar dhe po marrin ndihmë mjekësore 11 punonjës policie, të cilët ishin në krye të detyrës për mbarëvajtjen dhe garantimin e protestës. Ata janë vizituar në Spitalin e Traumës dhe në repartin e djegies nga Drejtori Vendor i Policisë së Tiranës, Elton Alushi, dhe Zëvendës/Drejtori për Rendin, Dashnor Muhaj.
Megjithë thirrjet e vazhdueshme të Policisë, përmes qendrës së zërit, për të ndalur aktet e dhunës, ato vijuan, çka detyroi ndërhyrjen për shpërndarjen e turmës, sipas parashikimeve ligjore në fuqi.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka nisur menjëherë punën për dokumentimin ligjor të veprimeve të dhunshme të protestuesve ndaj punonjësve të rendit.
Shërbimet e Policisë vijojnë veprimet përmes analizimit të pamjeve filmike, për identifikimin e personave që kanë sulmuar dhe kryer akte të dhunshme, si dhe për shoqërimin e tyre.
Deri në këto momente janë shoqëruar 23 persona, dhe gjatë verifikimeve të gjeneratës dhe moshës, njëri prej tyre ka rezultuar i mitur. Menjëherë janë njoftuar prindërit dhe, deri sa është marrë nga prindërit, i mituri nuk ka qenë i shoqëruar në dhomat e shoqërimit, por ka qëndruar në zyrën e pritjes së qytetarëve, derisa është marrë në dorëzim nga prindërit e tij.
Lini një Përgjigje