TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet24 Janar 2026, 21:17

Dronë, kamera trupi dhe 340 policinë, Drejtoria e Burgjeve jep detaje nga operacioni për transferimin e 142 të burgosurve (Video)

Shkruar nga Pamfleti
Dronë, kamera trupi dhe 340 policinë, Drejtoria e Burgjeve jep detaje
Momente nga operacioni

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka dhënë detaje të plota për operacionin e transferimit të të dënuarve dhe të paraburgosurve nga burgu i Fushë-Krujës, për shkak të rikonstruksionit të institucionit. Sipas informacioneve zyrtare, janë transferuar 142 persona, nga të cilët 85 janë dërguar në burgun e Peqinit dhe 57 në atë të Durrësit.

Operacioni u zhvillua me masa të shtuara sigurie dhe përfshiu 340 punonjës policie dhe 48 automjete të specializuara. Për herë të parë, në një proces të tillë janë përdorur në mënyrë të gjerë dronë për mbikëqyrje ajrore, sisteme anti-dron dhe komunikim dixhital për çdo punonjës. Të gjitha lëvizjet janë ndjekur në kohë reale përmes kamerave të trupit dhe automjeteve.

Drejtoria e Burgjeve konfirmon se operacioni është zhvilluar në bashkëpunim të ngushtë me strukturat e Policisë së Shtetit në Tiranë, Elbasan dhe Durrës, si dhe me prokuroritë dhe komisariatet përgjegjëse përgjatë itinerarit.

Autokolonat mbërritën pa incidente në institucionet përkatëse, ku janë zbatuar të gjitha procedurat standarde për sistemimin e të dënuarve dhe paraburgosurve. Ky operacion, sipas institucionit, tregon nivelin e lartë të koordinimit ndërinstitucional, angazhimin për sigurinë dhe përmirësimin e kushteve në sistemin penitenciar.

Njoftimi

Në zbatim të Planit të Masave Nr. 1261, datë 23.01.2026, dhe në kuadër të procesit të rikonstruksionit të IEVP Fushë-Krujë, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka realizuar me sukses transferimin e të dënuarve dhe të paraburgosurve drejt institucioneve të tjera të vuajtjes së dënimit.

Gjatë këtij operacioni të mirëorganizuar janë transferuar gjithsej 142 persona, konkretisht 85 drejt IEVP Peqin dhe 57 drejt IEVP Durrës. Procesi është zhvilluar nën masa të shtuara sigurie, me angazhimin e forcave operacionale dhe speciale, punonjësve të specializuar dhe përdorimin e automjeteve të dedikuara. Në këtë operacion janë përfshirë 340 punonjës policie dhe 48 automjete.

Operacioni u realizua me përdorimin e teknologjisë bashkëkohore dixhitale, përfshirë dronë për mbikëqyrje ajrore, sisteme anti-dron dhe sisteme komunikimi dixhital individual për çdo punonjës të përfshirë.

Kamerat e trupit dhe ato të automjeteve transmetuan pamje live, duke garantuar transparencë, kontroll dhe siguri maksimale.

Gjithashtu, operacioni u koordinua në kohë reale me të gjitha institucionet ligjzbatuese përgjatë itinerarit të lëvizjes, përfshirë Prokuroritë e Juridiksionit të Përgjithshëm, Drejtoritë Vendore të Policisë Tiranë, Elbasan dhe Durrës, si dhe komisariatet përkatëse, duke siguruar një bashkëpunim efikas ndërinstitucional.

Të dyja autokolonat mbërritën pa asnjë incident në destinacionet përkatëse, ku u zbatuan procedurat standarde për pritjen, kontrollin dhe akomodimin e të paraburgosurve dhe të dënuarve, në përputhje të plotë me legjislacionin dhe rregulloret në fuqi.

Ky operacion dëshmon angazhimin maksimal të Sistemit të Burgjeve për garantimin e sigurisë, investimin në infrastrukturë moderne, përdorimin e teknologjisë së avancuar dhe respektimin me rigorozitet të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.

Sistemi penitenciar shqiptar vijon të jetë i përkushtuar në ndërtimin e një sistemi bashkëkohor, transparent dhe të sigurt, në funksion të rendit, ligjit dhe dinjitetit njerëzor.

Lini një Përgjigje