I mituri pretendon se është dhunur nga policia
Një ngjarje e rëndë me nuanca çnjerëzore është raportuar sot gjatë protestës kombëtare të Partisë Demokratike në Tiranë, ku policia ka shoqëruar dhe dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj një fëmije 10-vjeçar. Bëhet fjalë për R. Kora, i cili, sipas raportimeve, është marrë nga forcat e rendit dhe për orë të tëra nuk ka pasur asnjë komunikim me familjen e tij.
Raportohet se i mituri është ndodhur në një gjendje të rënduar psikologjike pas shoqërimit. Sipas dëshmisë së dhënë, brenda makinës së policisë ai është goditur me shpullë në kokë. “Më kanë gjuajtur me shpullë këtu në kokë”, mësohet të ketë thënë ai. Pamjet dhe raportimet nga terreni flasin për një situatë që shkon përtej çdo standardi të sjelljes policore, sidomos kur bëhet fjalë për një të mitur.
Sipas raportimeve i mituri dyshohet se nuk ka pasur fare lidhje me protestën. Ai i përket komunitetit rom dhe sipas nënës së tij ai ka qenë duke mbledhur plastikë në kosha.
“Ka shkuar te koshat se merrte ndonjë plastikë dhe gjëra dhe i kanë shkuar katër civilë dhe e kanë kapur te xhamia, kur po lante fytyrën me ujë te xhamia. Djali më tha se nu ke dinte pse e kanë rrahur, ç’ke me mua’, i ka thënë. ‘Ke gjuajtur policinë, i kanë thënë ata’. Çfarë shteti është ky që më rreh fëmijën kot, pa lidhje? Unë me zor e rris, ku me bukë ku pa bukë, jo ta rrafin pa lidhje një fëmijë. Ai është i sëmurë me zemër”, tha ajo.
Vetëm pas ndërhyrjes së përfaqësueses ligjore të Partisë Demokratike, Eda Grimçi, i mituri është liruar. Grimçi ka konfirmuar se gjendja e tij është e rënduar emocionalisht dhe ka kërkuar që pamjet e fëmijës të mos publikohen për të mbrojtur privatësinë dhe dinjitetin e tij.
Më pas reagoi dhe policia ku është justifikuar me faktin se ai u la te zyra e pritjes së qytetarëve: "Deri në këto momente janë shoqëruar 23 persona, dhe gjatë verifikimeve të gjeneratës dhe moshës, njëri prej tyre ka rezultuar i mitur. Menjëherë janë njoftuar prindërit dhe, deri sa është marrë nga prindërit, i mituri nuk ka qenë i shoqëruar në dhomat e shoqërimit, por ka qëndruar në zyrën e pritjes së qytetarëve, derisa është marrë në dorëzim nga prindërit e tij".
Lini një Përgjigje