Gjatë protestës së opozitës, e cila u zhvillua pasditen e së shtunës, u regjistruan disa incidente dhe përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë.
Kjo e fundit përdori gaz lotsjellës me shumicë për të shpërndarë protestuesit dhe shoqëroi në komisariate disa prej tyre.
Mes të shoqëruarve ishte edhe një fëmijë i mitur, vetëm 10 vjecc. Pamjet e publikuara kanë nxitur një seri reagimesh në rrjet, pasi civilë të policisë, shoqërojnë në një makinë policie të miturin, i identifikuar si Romeo K..
Policia në një reagim shprehet se e ka ndaluar dhe shoqëruar të miturin në komisariat pasi ai kryente veprime të rrezikshme.
“Në lidhje me shoqërimin e një të mituri në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, sqarojmë se gjatë veprimeve të shërbimeve të Policisë për parandalimin e sjelljeve dhe veprimeve të rrezikshme, në tubimin e mbajtur ditën e sotme, është konstatuar një i mitur duke gjuajtur me gurë dhe sende të forta në drejtim të shërbimeve të Policisë. Për këtë arsye, i mituri është marrë për verifikim, nga ku rezultoi të ishte i moshës 14 vjeç.
Theksojmë se shtetasi i mitur në asnjë moment nuk është mbajtur në ambiente të përbashkëta me persona të rritur të ndaluar apo të shoqëruar, por ka qëndruar në një ambient të përshtatshëm dhe është trajtuar me kujdes, në përputhje me parimet dhe garancitë ligjore për të miturit. Ai është lënë i lirë menjëherë pas mbërritjes së përfaqësuesit ligjor.
Në lidhje me veprimet e punonjësve të Policisë gjatë trajtimit të këtij rasti, është njoftuar menjëherë Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, si dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, për verifikimin e plotë të rastit”, thuhet në reagimin e Policisë
Lini një Përgjigje