TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 1 Qershor 2026, 15:18

QSUT nuk gjen qetësi, ikën Anxhela Paparizo; drejtimin e merr Rudina Degjoni e Spitalit Memorial të Fierit

Shkruar nga Pamfleti
QSUT nuk gjen qetësi, ikën Anxhela Paparizo; drejtimin e merr Rudina
Evis Sala dhe Rudina Degjoni

Shkarkohet nga detyra drejtoreshën e QSUT-së, Anxhela Paparizo, vendin ia zë Rudina Degjoni

Akoma pa bërë një vit, Ministrja e  Shëndetësisë, Evis Sala ka shkarkuar nga detyra drejtoreshën e QSUT, Anxhela Paparizo. Në vend të saj është emëruar Rudina Degjoni, e cila së fundmi mbante postin e drejtoreshës së Spitalit Memorial të Fierit.

Përmes një njoftimi, QSUT bëri të ditur se Degjoni është prezantuar sot para stafit si drejtuesja e re e spitalit universitar më të madh në vend.

Sipas institucionit, ajo vjen në këtë detyrë me një eksperiencë të gjatë në fushën e drejtimit dhe menaxhimit spitalor, si dhe me përvojë në administrimin e shërbimeve shëndetësore.

Deri tani nuk janë dhënë detaje zyrtare mbi arsyet e largimit nga detyra të paraardhëses së saj, Anxhela Paparizo. 

“Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” priti sot Drejtuesen e re të institucionit, znj. Rudina Degjoni Znj. Degjoni vjen në krye të QSUT pas një eksperience të gjatë në drejtim dhe menaxhim spitalor, duke sjellë me vete një kontribut të çmuar në administrimin dhe zhvillimin e shërbimeve shëndetësore. Ky emërim vjen pas lirimit nga detyra të Drejtoreshës së Përgjithshme znj. Anxhela Paparizo.”-thuhet në njoftimin e QSUT.

Edhe pse një ish-adhuruese e Edi Ramës, në kohën kur ky drejtonte Bashkinë e Tiranës, e ardhur nga Kanadaja për të bërë karrierë, paçka nuk kishte asnjë lidhje, as me shëndetësinë e as me Qendrën e vetme Universitare Spitalore në vend, QSUT, Anxhela Paparizo, nuk e mbylli dot vitin. Madje largimi i saj është përfolur disa herë. Vetëm 2 javë pasi u emërua ajo dorëzoi dorëheqjen, por ju refuzua nga Evis Sala.

Para saj, ish drejtori Florenc Spaho, u shkarkua vetëm dy muaj pas marrjes së detyrës. Ish deputet, mjek në profesion, Florencin, me reputacion relativisht të mirë, e përzuri me arrogancë ministrja e re. Arsyeja: nuk kishte ndër mend të firmoste dosjet që Koçiu i kishte lënë peshqesh dhe që Sala kishte hyrë garant t'i mbyllte. Para Spahos, edhe mjekja tjetër Donjeta Bali nuk e kapërceu 2 muajshin në drejtimin e QSUT. Ndryshe nga Florenci, Donjeta u dorëhoq pas një sherri të rëndë me ministren, e cila kaloi deri në fyerje kundrejt mjekes. Para Balit, edhe Alma Cani gjithashtu nuk pati një karrierë, as të lavdishme, as jetëgjatë, në atë institucion. Iku pa nder dhe me frikën se ndoshta dikush ia kishte futur ndonjë shkresë për firmë, pa mendje.

Të shohim se sa gjatë do ta ketë Rudina Degjoni, e cila vjen nga një spital ku nuk kanë pasur fund skandalet. Vetëm KLSH ka zbuluar disa herë shkelje në atë spital.

Madje në vitin 2023 Degjoni u hetua dhe u dërgua për gjykim nga Prokuroria e Fierit, pasi u akuzua për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, të parashikuar nga neni 248 i K.Penal.

Nga hetimet prokuroria shprehej se ka provuar se e pandehura në kundërshtim me aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi dhe në mungesë të miratimit nga Ministria e Shëndetësisë, ka lejuar kryerjen e paligjshme të procedurës së botoksit të stomakut te pacientët në këtë spital publik, nëpërmjet aplikimit në organizimin e brendshëm të pacientëve, të preparateve mjekësore të botoksit të stomakut që nuk janë blerë nga vetë spitali me procedura të ligjshme të prokurorimit publik, por janë gjetur në rrugë jashtë-spitalore për të cilat pacientët kanë bërë pagesat e tyre. Të shohim se çfarë do të sjellë në krye të QSUT.

ndryshim në krye të qsut-së

Lini një Përgjigje