TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 1 Qershor 2026, 13:33

"Dështuam në Zvërnec", Skënder Hita kërkon ndjesë publike: Kanë nisur hetimet për të gjithë zinxhirin komandues

Shkruar nga Pamfleti
"Dështuam në Zvërnec", Skënder Hita kërkon
Skënder Hita

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, zhvilloi një konferencë për shtyp në Vlorë, ku foli për ngjarjen e ndodhur më 30 maj në Zvërnec dhe masat e marra pas incidentit që shkaktoi reagime të shumta publike. Hita pranoi se mënyra si u menaxhua protesta dhe informacioni i përcjellë më pas nga strukturat vendore të policisë nuk ishte në nivelin e kërkuar dhe cenoi besimin e qytetarëve te institucioni.

Kreu i Policisë bëri të ditur se drejtori i Policisë së Vlorës është shkarkuar për shkak të dështimit në administrimin e situatës, por edhe për informacionin e pasaktë të dhënë publikisht lidhur me qytetarin që u mor me forcë dhe u godit nga punonjës të sigurisë private në kantier. Sipas tij, në vend të reagimit të menjëhershëm, Policia u shfaq e vonuar dhe joprofesionale, duke mos parandaluar ngjarjen dhe duke mos identifikuar në kohë autorët e dhunës.

Hita njoftoi gjithashtu ngritjen e një grupi të posaçëm hetimor për të verifikuar të gjitha veprimet e kryera gjatë protestës, ndërsa Drejtoria e Standardeve Profesionale ka nisur një hetim disiplinor për të gjithë zinxhirin komandues të Policisë së Vlorës. Në kuadër të verifikimeve administrative, ai bëri të ditur se janë konstatuar shkelje edhe nga dy subjektet private të sigurisë që operonin në zonë, ndaj të cilave është vendosur heqja e licencave.

Drejtori i Përgjithshëm kërkoi ndjesë publike për informacionin e gabuar të dhënë fillimisht nga policia dhe theksoi se transparenca dhe integriteti janë të panegociueshme për institucionin që ai drejton. Ai shtoi se Policia ka detyrimin të garantojë sigurinë e protestuesve, por njëkohësisht edhe mbrojtjen e pronës private që disponon dokumentacion të rregullt ligjor.

Në fund, Hita garantoi se hetimet për ngjarjen në Zvërnec do të vijojnë në bashkëpunim me Prokurorinë dhe Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, ndërsa rezultatet do të bëhen publike sapo procesi të përfundojë.

Fjala e plotë e Skënder Hitës: 

Në zbatim të mënyrës së re të komunikimit me median dhe publikun, sikundër e kemi bërë me dije, që unë si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, por edhe të gjithë drejtuesit e drejtorive vendore dhe strukturave të tjera policore, duhet të komunikojmë çdo muaj nëpërmjet konferencave për shtyp me median dhe publikun, sot kam zgjedhur të jem në Vlorë, për të komunikuar nëpërmjet jush, drejtpërdrejt me qytetarët dhe me opinionin publik, mbi situatën e krijuar pas ngjarjes së datës 30 maj, në Zvërnec, si dhe për masat që Policia e Shtetit ka ndërmarrë dhe do të ndërmarrë për të garantuar ligjshmërinë, përgjegjshmërinë dhe standardet profesionale që qytetarët presin nga ne.

Ngjarja e ndodhur, mënyra e menaxhimit të saj dhe informacioni i pasaktë i përcjellë publikisht, kanë cenuar standardin që unë kërkoj nga Policia e Shtetit dhe besimin që qytetarët duhet të kenë tek institucioni ynë.

Për këtë arsye kam marrë vendime të menjëhershme që në orët e para pas ngjarjes dhe janë nisur procese të plota hetimore e administrative për të nxjerrë përgjegjësitë përkatëse.

Po ashtu, sot prezantova drejtorin e komanduar të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë Drejtues Edvin Ndreu, i cili do ketë detyrën e rëndësishme të riorganizimit dhe forcimit të strukturave policore në qarkun e Vlorës, në funksion të shërbimit ndaj qytetarëve dhe zbatimit të ligjit.

Siç e dini, Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë u shkarkua dy ditë më parë, për shkak të dështimit në menaxhimin e tubimit të datës 30 maj, në Zvërnec, por mbi të gjitha për informacionin e pavërtetë që u përçua publikisht, për një qytetar që u mor me forcë dhe u godit nga rojet e sigurisë private në kantier.

Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë ka nevojë të nxjerrë mësimet e duhura dhe me të gjitha strukturat policore në varësi të saj duhet të identifikojë problematikat, si edhe të bëjë propozimet përkatëse, qoftë për masa administrative të reja, qoftë kandidatura të reja drejtuese në drejtori dhe komisariate, sipas nevojave.

Menaxhimi i strukturave, i situatave dhe i problematikave nga ana e drejtuesve të drejtorive dhe komisariateve në varësi, integriteti, transparenca dhe shërbimi ndaj qytetarëve, janë elemente bazë të vlerësimit për ta, por edhe domosdoshmëri për të mos humbur besimin dhe mbështetjen e qytetarëve.

I kërkoj Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, që të jetë sa më e hapur, sa më aktive dhe profesionale në shërbim të qytetarëve dhe në zbatim të ligjit, dhe të mos përfaqësohet kurrsesi dhe në asnjë rast para publikut, me dobësinë e papranueshme të tri ditëve më parë në Zvërnec, ku Policia u shfaq e fjetur dhe joprofesionale, duke mos ndërhyrë në kohë për të parandaluar marrjen me forcë të qytetarit apo duke mos identifikuar dhe arrestuar në kohë punonjësin që goditi me grusht qytetarin, ajo trupë na turpëroi të gjithëve.

Prandaj, siç jeni në dijeni, kam urdhëruar që prej pasdites së datës 30 maj, ngritjen e një grupi të posaçëm hetimor, i cili do të hetojë të gjitha veprimet e kryera gjatë protestës si dhe kam urdhëruar Drejtorinë e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit, e cila ka nisur menjëherë një hetim të plotë dhe të thelluar disiplinor për gjithë zinxhirin komandues të DVP Vlorë.

Po në funksion të nxjerrjes së përgjegjësive, në vijim të veprimeve administrative të kryera nga grupi i posaçëm i Departamentit për Sigurinë Publike, për vlerësimin e zbatimit të përgjegjësive ligjore nga subjektet ShPSF “Myrto Security 1.3A” dhe ShPSF “Major Security”, rezultoi se të dyja subjektet janë konstatuar në shkelje. Për këto shkelje mora vendim për heqjen e licencave të të dyja subjekteve ShPSF.

I jam drejtuar qytetarëve me ndjesë publike për atë informacion të pasaktë, sepse besimi i publikut te Policia e Shtetit është vlera më e rëndësishme dhe cenimi i tij nuk mund të justifikohet në asnjë rast. Por dua ta përsëris edhe këtu sot atë ndjesë, sepse Vlora dhe vlonjatët meritojnë respektin tonë më të madh dhe në asnjë mënyrë atë që panë e përjetuan atë ditë.

Nga ana tjetër, dua te nënvizoj përsëri se Policia e Shtetit ka për detyrë ligjore të garantojë rendin dhe sigurinë e protestuesve të çfarëdo natyre, por po ashtu ka detyrë ligjore të mbrojë integritetin e çdo prone private që zotëron dokumentacion të rregullt ligjor.

Konkretisht, territori i rrethuar rezulton pronë private, me dokumentacion të rregullt hipotekor, si dhe me autorizimin ligjor për rrethimin. Prandaj përfitoj nga rasti t’u drejtohem qytetarëve që protestojnë, që çdo pretendim që kanë mbi pronën apo zhvillimin e saj, ta adresojnë në Gjykatë, sepse drejtësia jo forca e ndan kush ka të drejtë e kush jo në sistemin demokratik.

Veprimet hetimore dhe administrative në lidhje me ngjarjen e datës 30 maj vijojnë në bashkëpunim me Prokurorinë dhe Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore dhe rezultatet përfundimtare do t’i bëhen të njohura opinionit publik.

Standardi im si Drejtor i Përgjithshëm është standardi që kërkojnë qytetarët e ndershëm dhe që kërkon ligji: një polici profesionale, me integritet, garante për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore, si dhe të jetës e pronës së qytetarëve.

Ndërkohë, parandalimi i ngjarjeve kriminale dhe zbardhja e atyre të ndodhura më parë, siguria gjatë sezonit turistik, siguria rrugore, rritja e sigurisë detare, mbrojtja nga ndotja akustike, ndjekja në dinamikë e shqetësimeve dhe e denoncimeve të qytetarëve, goditja e armëmbajtjes pa leje, e krimeve mjedisore, kapja e personave në kërkim, parandalimi dhe goditja e kultivimit të bimëve narkotike, si dhe goditja e trafiqeve të paligjshme, janë në fokus të punës së Policisë së Shtetit përgjatë sezonit turistik veror 2026.

Në përfundim, dua t'iu drejtohem qytetarëve të Vlorës dhe gjithë Shqipërisë:

“Policia e Shtetit do të jetë e pranishme, aktive dhe e vendosur për të garantuar rendin, sigurinë dhe zbatimin e ligjit për këdo, pa dallim.

Asnjë shkelje e ligjit, asnjë cenim i interesit publik dhe asnjë neglizhencë në përmbushjen e detyrës nuk do të tolerohet.

Besimi i qytetarëve fitohet vetëm me punë, profesionalizëm dhe integritet. Ky është standardi që kam kërkuar dhe do të vazhdoj të kërkoj nga çdo punonjës policie në të gjithë vendin. Kush i shërben me ndershmëri qytetarëve do të ketë mbështetjen time të plotë, kush cenon ligjin, standardet profesionale apo besimin e publikut do të përballet me ndëshkimin. Ky është standardi që kam vendosur për veten time dhe këtë standard do të kërkoj pa kompromis nga çdo drejtues dhe punonjës policie në të gjithë vendin.

Ndërsa hyjmë në kulmin e sezonit turistik, prioriteti ynë mbetet siguria e qytetarëve, turistëve dhe komuniteteve lokale. Strukturat e Policisë së Shtetit do të jenë në terren 24/7, për të parandaluar paligjshmëritë, për të reaguar ndaj çdo shqetësimi dhe për të garantuar një sezon të sigurt për të gjithë.

Ju faleminderit dhe jam i gatshëm t'ju përgjigjem pyetjeve tuaja.

ceshtja e zvernecit skender hita

Lini një Përgjigje