
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita në një konferencë për mediat nga Drejtoria e Policisë së Vlorës ku prezantoi drejtuesin e ri Edvin Ndreu , tha se ngjarjet e ndodhura në Zvërnec ishin një mësim.
Hita tha se policia e Vlorës u tregua joprofesionale në menaxhimin e situatës së krijuar 2 ditë më parë në Zvërnec me marrjen zvarrë të një qytetari në sytë e tyre dhe një veprim që turpëron trupën e policisë.
"Policia u shfaq e fjetur dhe jo profesionale, duke mos arrestuar punonjësin që goditi me grusht qytetarin, ajo trupë na turpëron të gjithëve. Prandaj kam urdhëroj që prej pasdites së datës 30 maj të ngrihet një grup i posaçëm hetimor për të hetuar veprimet e kryera gjatë protestës, si dhe kam urdhëruar drejtorin e standardeve në policinë e shtetit e cila ka nisur hetim disiplinor për zinxhirin komandues të policisë Vlorë", tha Hita.
Protestat janë mbajtur si në Zvërnec, pranë zonës së projektit, por gjithashtu dhe në kryeqytet (më 31 maj, teksa është paralajmëruar edhe për këtë të hënë, 1 qershor, një marshim i radhës).
Në zonë parashikohet ndërtimi i një kompleksi të madh turistik, me investime që kapin vlera miliardëshe.
Në reagimet e mëparshme, kryeministri ka theksuar se bëhet fjalë për një pronë private prej rreth 300 hektarësh, e se investitorët kanë siguruar tokën përmes marrëveshjeve me pronarë privatë dhe jo nga shteti shqiptar.
Gjithashtu, ditën e sotme, 1 qershor, u është hequr licenca dy kompanive private të sigurisë, punonjësit e të cilave u filmuan duke dhunuar protestuesit që po kundërshtonin paqësisht kundër punimeve në zonë.
Nga hetimet, për vlerësimin e zbatimit të përgjegjësive ligjore nga subjektet private, rezultoi se të dyja subjektet janë konstatuar në shkelje.
Lini një Përgjigje