TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 4 Prill 2025, 22:51

Pritja e 40 krerëve të shteteve në 16 maj, Rama zgjidh qesen: Mbi 450 mln lekë shtesë për sigurinë dhe shërbimet qeveritare

Shkruar nga Pamfleti

Pritja e 40 krerëve të shteteve në 16 maj, Rama zgjidh qesen: Mbi

Qeveria ka miratuar një fond shtesë prej mbi 450 mln lekë për organizimin e samitit më 16 maj në Tiranë, ku do të zhvillohet takimi i Komunitetit Politik.

Sipas vendimit, Ministrisë së Brendshme i shtohet fondi prej 92.8 milionë lekësh i ndarë në dy zëra. Policia e Shtetit merr 44.1 milionë lekë dhe Garda e Republikës 48.6 milionë lekë.

Ndërsa Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare i shtohet fondi prej 360 milionë lekë. Vendimi i qeverisë përcakton se efekti financiar prej 452.8 milionë lekësh përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, miratuar për vitin 2025.

Vendim për një shtesë fondi në buxhetin e vitit 2025, miratuar për ministrinë e brendshme dhe drejtorinë e shërbimeve qeveritare, për përballimin e shpenzimeve të organizimit të takimit të nivelit të lartë të komunitetit politik evropian të datës 16 maj 2025.

Komuniteti Politik Evropian iniciative e presidentit francez Macron e ndërmmarrë në vitin 2022 është një forum pan-evropian, në përbërje më shumë se 40 krerë të shteteve edhe nga jashtë BE-së. Disa kritikë e konsiderojnë Komunitetin Politik Evropian si një mekanizëm që u ngrit për të ngadalësuar zgjerimin e shpejtë të BE-së duke mbajtur në dhomën e pritjes pa afat shtetet ballkanike, Ukrainën, Moldavinë dhe Gjeorgjinë Perëndimore.

Komuniteti Politik Evropian nuk është një organ vendimmarrës si Bashkimi Evropian apo aleanca e NATO-s.

Në mbledhjet e tij nuk publikohet asnjë deklaratë, nuk zbatohet asnjë traktat apo ligj, por shkëmbehen pikëpamje dhe rivendosen ura komunikimi.

Vendimi

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45, të  ligjit nr.9936/2016, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar,  dhe të nenit 14, të ligjit nr.115/2024, “Për buxhetin e vitit 2025”, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave

Vendosi: 1. Në buxhetin e miratuar për vitin 2025, për përballimin e shpenzimeve të organizimit të Takimit të Nivelit të Lartë të Komunitetit Politik Evropian (EPC), që do të organizohet në Tiranë, në datën 16 maj 2025, bëhet shtesë fondi, si më poshtë vijon:

a) Ministrisë së Brendshme, fondi prej 92 828 000 (nëntëdhjetë e dy milionë e tetëqind e njëzet e tetë mijë) lekësh, i ndarë:

i. Për programin “Policia e Shtetit”, në zërin “Shpenzime korrente”, fondi prej 44 168 000 (dyzet e katër milionë e njëqind e gjashtëdhjetë e tetë mijë) lekësh;

ii. Për programin “Garda e Republikës”, në zërin “Shpenzime kapitale”, fondi prej 48 660 000 (dyzet e tetë milionë e gjashtëqind e gjashtëdhjetë mijë) lekësh.

b) Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare, fondi prej 360 045 000 (treqind e gjashtëdhjetë milionë e dyzet e pesë mijë) lekësh.

2. Efekti financiar, prej 452 873 000 (katërqind e pesëdhjetë e dy milionë e tetëqind e shtatëdhjetë e tre mijë) lekësh, përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, miratuar për vitin 2025.

3. Ngarkohen Ministria e Financave, Ministria e Brendshme dhe Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

Lini një Përgjigje