
Kotollaku, është vëllai i ish-gjyqtares së Elbasanit, Pajtime Fetahu, e cila aktualisht ndodhet në burg pas tre akuzave të ngritura nga SPAK.
Prokuroria e posaçme SPAK, i ka dhënë një shkelm të fortë besimit të një prokuroreje në Elbasan, e cila ka marrë guximin dhe ka denoncuar një rast korruptiv të ndodhur në ambientet e zyrës së saj në Elbasan.
Kallëzimi i Glenda Zenelit, është shuar nga vetë prokurorët e SPAK, të cilët i kanë kërkuar gjykatës pushimin e ndjekjes penale, kërkesë kjo që pak ditë më parë u miratua dhe nga gjyqtarja e Posaçme, Irena Gjoka.
Prokurorja Zeneli, 1 vit më parë kallëzoi tek kolegët e saj oficerin e policisë gjyqësore pranë sektorit rrugor, Arben Kotollakun, me faktin se ai i kishte dhënë në zyrë një parfum me vlerë 37 mijë lekë të vjetra si shpërblim për zbutjen e masës së sigurisë, një qytetari të quajtur Ismail.Q.
Ky i fundit ishte arrestuar nga oficeri i policisë rrugore Arben Kotollaku për akuzën e “Drejtimit të mjetit në mënyrë të parregullt”. Kotollaku, është vëllai i ish-gjyqtares së Elbasanit, Pajtime Fetahu, e cila aktualisht ndodhet në burg pas tre akuzave të ngritura nga SPAK.
Rasti në fjalë tregon një episod flagrant të menaxhimit familjar, ku vëllai Arben Kotollaku, pasi arreston një qytetar, ia ofron motrën e tij, Pajtime Fetahu, për ta mbrojtur në rrugë ligjore, prokurori-gjykatë.
E teksa letrat e arrestimit kanë shkuar në prokurori, procedimi penal kundër Ismail Q. është marrë në trajtim nga prokurorja Glenda Zeneli.
Kjo e fundit i është drejtuar me një kërkesë gjykatës për caktimin e masës së sigurisë “detyrim paraqitje” për Ismail.Q, i cili ishte proceduar për akuzën e “Drejtimit të mjetit në gjendje të parregullt”.
Ismail.Q, mbrohej në gjykatë nga Pajtime Fetahu. Gjykata ka miratuar kërkesën e prokurores, duke nxjerrë nga izolimi Ismailin dhe caktuar masën e “detyrimit për paraqitje”.
Por dy ditë pas këtij vendimi, në prokurorinë e Elbasanit shfaqet oficeri që kishte arrestuar Ismail Q, shtetasi Arben Kotollaku, duke u drejtuar tek zyra e prokurores që kishte çështjen.
Ai i kishte lënë në zyrë prokurores një parfum, duke i thënë se këtë gjë ja kishte dhënë i arrestuari prej tij, Ismail. Q, si shpërblim që prokurorja e kishte liruar nga izolimi.
Pas kësaj bisede, Kotollaku, është larguar nga zyra dhe ka marrë shkallët dhe ka dalë nga ambientet e prokurorisë. Ndërsa prokurorja Glenda Zeneli, ka denoncuar rastin tek kolegët e saj, si rast korruptiv.
Çështja fillimisht u ndoq nga Elbasanit dhe më pas dosja shkoi në SPAK. Por nuk kaloi një vit nga kjo situatë dhe SPAK ka rrëzuar kallëzimin e prokurores Zeneli, me pretendimin se nuk ka vepër penale duke nxjerrë të gabuar formën kallëzuese të prokurores.
Arben Kotollaku, njeriu që ofroi të mirën materiale si shpërblim për lirimin nga prokuroria të Ismail. Q, është lënë i lirë dhe nuk është marrë në përgjegjësi penale.
Ndërsa sipas SPAK, e vetmja që ka gabuar në këtë çështje është prokuroria e Elbasanit, Glenda Zeneli, që denoncoi rastin korruptiv.
Lini një Përgjigje