
Protestuesit e Partisë Demokratike kanë ndryshuar drejtim duke marshuar drejt Presidencës, pasi hasën dy bllokada të vendosura nga Policia e Shtetit gjatë marshimit në Tiranë. Ata i janë rikthyer bulevardit "Dëshmorët e Kombit".
Fillimisht, tubuesit tentuan të marshonin në drejtim të Drejtorisë së Policisë Tiranë, por u ndaluan nga kordone policore që bllokuan avancimin e tyre. Më pas, një tjetër bllokadë u vendos edhe pranë zonës së ish-Bllokut, duke mos lejuar afrimin e protestuesve drejt vilës së ish-diktatorit Enver Hoxha.
Protesta e opozitës nisi përpara godinës së Kryeministrisë, ku që në momentet e para u shoqërua me tensione. Një pjesë e protestuesve hodhën molotovë dhe fishekzjarre në drejtim të godinës së qeverisë, ndërsa policia ndërhyri me gaz lotsjellës dhe autobotë me ujë për të shpërndarë turmën.
Më pas, protesta u shndërrua në marshim në disa pika të kryeqytetit, duke përfshirë selinë e Partisë Socialiste dhe zona të tjera institucionale, ku janë raportuar incidente sporadike dhe përplasje me forcat e rendit.
Lëvizja e protestuesve në disa akse të qytetit dhe ndryshimi i vazhdueshëm i itinerarit tregojnë një protestë dinamike, e shoqëruar me tensione dhe ndërhyrje të policisë në pika kyçe.
Devijimi drejt Presidencës vjen pas pamundësisë për të avancuar në dy prej objektivave të mëparshëm të marshimit, duke zhvendosur fokusin e tubimit drejt një institucioni tjetër qendror.
Lini një Përgjigje