
Policia e Shtetit ka shtuar masat e sigurisë para nisjes së protestës së radhës së opozitës, e cila pritet të nisë në orën 18:00. Rreth 1500 efektivë janë angazhuar në terren për garantimin e rendit dhe mbarëvajtjen e tubimit.
Në disa pika kyçe të kryeqytetit janë vendosur barriera metalike, përfshirë godinat e Kryeministrisë dhe Kuvendit. Gjithashtu, janë vendosur gardhe metalike edhe rreth xhamisë së Namazgjasë.
Ndërkohë, forca të shumta policore dhe zjarrfikëse janë vendosur në gatishmëri, në kuadër të një plani masash që mbetet i ngjashëm me atë të protestave të mëparshme.
Deri tani, nuk janë bërë të qarta skenarët që do të ndiqen gjatë protestës. Megjithatë, ashtu si edhe në tubimin e fundit, nuk pritet të ketë fjalime, pasi nuk është ngritur një podium.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve që të respektojnë rregullat dhe të shmangin çdo incident gjatë zhvillimit të protestës.
Lini një Përgjigje