TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet11 Prill 2026, 09:54

Pashka Ortodokse, mesazhi i Kryepeshkopit Joan uron besimtarët: Thirrje për paqe dhe reflektim shpirtëror

Shkruar nga Pamfleti
Pashka Ortodokse, mesazhi i Kryepeshkopit Joan uron besimtarët: Thirrje
Kryepeshkopi Joan

Në urimin e tij, ai ngre shqetësimin për “mpirjen e indiferencës” dhe thekson rëndësinë e besimit në një botë të trazuar

Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, Joan, ka përcjellë mesazhin e tij me rastin e Pashkës Ortodokse, duke vënë theksin te paqja, besimi dhe sfidat shpirtërore të shoqërisë moderne.

Mesazhi përmban një thirrje për reflektim personal dhe për ndërtimin e paqes së brendshme, si parakusht për paqen në shoqëri.

Në një postim në faqen zyrtare të Kishës Autoqefale të Shqipërisë, ai uroi besimtarët dhe ndau reflektime mbi realitetin aktual, duke e cilësuar kohën që jetojmë si një periudhë të shoqëruar me pasiguri dhe tensione globale. Sipas tij, mesazhi i Ngjalljes mbetet aktual dhe i domosdoshëm për njerëzimin.

Në fjalën e tij, Kryepeshkopi rikujton se mesazhi i parë i Krishtit pas Ngjalljes ishte “Paqe në ju”, duke e cilësuar këtë si një paqe që nuk varet nga rrethanat apo zhvillimet politike, por nga marrëdhënia e njeriut me Zotin.

Ai thekson se bota sot përballet me luftëra, pasiguri dhe frikë për të ardhmen, ndërsa paqja e vërtetë, sipas tij, qëndron përtej këtyre kushteve dhe lidhet me dimensionin shpirtëror të jetës.

Një pjesë e rëndësishme e mesazhit i kushtohet kritikës ndaj asaj që Kryepeshkopi e quan “mpirje e indiferencës” dhe “tharje shpirtërore”. Ai shprehet se shoqëria moderne, në ndjekje të të mirave materiale dhe statusit, po përballet me boshllëk dhe pasiguri të brendshme.

Sipas tij, kjo situatë nuk vjen nga ndalimi i besimit, por nga zgjedhja për ta injoruar atë. Në këtë kontekst, ai citon edhe fjalët biblike mbi humbjen e shpirtit përballë fitimit material, duke i cilësuar ato si më aktuale se kurrë.

Kryepeshkopi Joan ndalet gjithashtu te e kaluara e Kishës Ortodokse në Shqipëri, duke kujtuar periudhën e persekutimit gjatë regjimit komunist, kur besimi u ndalua dhe institucionet fetare u shkatërruan.

Ai thekson se, pavarësisht kësaj, Kisha arriti të ringrihej, duke e lidhur këtë me mesazhin e Ngjalljes dhe fuqinë e besimit në histori.

Kryepeshkopi u bën thirrje besimtarëve të bëhen “paqebërës” në një botë të karakterizuar nga konflikti dhe egoizmi, duke theksuar se paqja fillon nga brenda individit dhe më pas përhapet në komunitet.

 

pashket mesazhi joan

Lini një Përgjigje