
Rreth 33 mijë qytetarë kanë kaluar përmes pikës kufitare të Morinës gjatë 24 orëve të fundit, duke shënuar një intensitet të lartë lëvizjesh në të dy drejtimet.
Sipas të dhënave zyrtare, hyrjet në Shqipëri kanë arritur në 17,363 shtetas, të cilët kanë udhëtuar me 5,100 automjete dhe 66 autobusë. Në të njëjtën periudhë, janë regjistruar 15,704 dalje nga vendi me 4,128 automjete.
Fluksi është përballuar pa krijuar radhë, falë zbatimit të marrëveshjes për lëvizjen e lirë, e cila ka mundësuar kalim të pandërprerë të mjeteve në kufi.
Pjesa më e madhe e udhëtarëve kanë si qëllim pushimet, vizitat turistike dhe qëndrimet në zonat kurative. Vizitorët nga Kosova vijojnë të përbëjnë një segment kyç për turizmin, veçanërisht në zonat bregdetare të Shqipërisë.
Lini një Përgjigje