“Durrësi, skenë e krimit”, marshim protestë në qytetin e gjunjëzuar nga përmbytjet
Qeverisë duket se po i del situata nga kontrolli. Përmbytjet e ditëve të fundit e kanë shtuar ndjeshëm pakënaqësinë.
Me mijëra familje janë nën ujë, ndërsa Rama shëtit samiteve dhe bën statuse në rrjetet sociale. Kjo ka bërë që në Durrës sot qytetarët të dalin në protestë. Kjo është e dyta protestë qytetare pas asaj në Vlorë, ku qindra banorë shkundën qeverinë nga mungesa e ujit.
Sipas të dhënave paraprake, rreth 800 banesa janë përmbytur në Durrës, ndërsa rrugët kryesore janë bllokuar, duke shkaktuar ndërprerje të qarkullimit dhe shqetësime të mëdha për qytetarët. Protestuesit kërkojnë dëmshpërblim për dëmet e shkaktuara, duke theksuar se situata është pasojë e keqmenaxhimit dhe abuzimeve me fondet, jo vetëm e fatkeqësive natyrore.
Dhjetëra banorë marshuan në rrugët e qytetit, duke nisur nga rrethrrotullimi pranë burgut dhe duke vijuar drejt Bashkisë së Durrësit. Me thirrje si “Durrësi, skenë e krimit” dhe “Shpallni gjendjen e emergjencës”, ata kërkojnë veprime të menjëhershme nga autoritetet.
“Këto 30 vite asnjëherë nuk ka pasur përmbytje të këtyre përmasave në qytetin e Durrësit. Është mbytur, plazhi, Shkozeti, Spitalla, lagja 1, po për Velierën kush e kishte fajin që u mbyt Veliera”, tha një qytetar.
Gjithashtu një qytetare e revoltuar u shpreh kritike ndaj qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama, duke thënë e ka gjithë popullin kundër.
“Ai i gjati lart, a e sheh popullin që ka kundër. Po pi verë 33 mijë euro që mos e piftë. A e sheh këto popull këtu… Zoti i marroftë dhe zoti i denoftë. E zënshin haqet e këtij popullit”, tha ai.
Situata mbetet kritike, sidomos në Njësitë Administrative Sukth dhe Katund i Ri, ku përmbytjet janë thelluar nga rritja e prurjeve të lumit Erzen. Emergjencat civile kanë urdhëruar evakuimin e detyrueshëm të banorëve. Zona e ish-Kënetës, Shkozeti dhe Spitalla po përballet me pasoja të rëndësishme nga përmbytjet e dy ditëve të fundit.
Shkak i përmbytjeve dyshohet të jetë edhe bllokimi i kanaleve kulluese nga inertet, dherat dhe mbetjet urbane, të cilat në vend që të drejtojnë ujin drejt detit janë kthyer në barriera. Sipas opozitës, hidrovori i ri i ndërtuar në 2022 në Porto Romano nuk ka funksionuar me kapacitet të plotë, duke rritur rrezikun për banesat dhe bizneset.
Opozita e cilëson situatën si “katastrofë të shkaktuar nga dora e njeriut”, duke ngritur akuza për mbi 30 milionë euro investime korruptive. Kallëzimin e ka depozituar Ilirjana Kuçana nga PD-ja në SPAK këtë të enjte.
Në ditën e tretë të përmbytjeve, përllogariten afro 1 mijë banesa të përmbytura, 335 biznese të dëmtuara dhe mbi 350 banorë të evakuuar, të cilët po strehohen përkohësisht në Konvalishence. Autoritetet vazhdojnë monitorimin e situatës dhe ndërhyrjet emergjente për pastrimin e kanaleve dhe rivendosjen e qarkullimit rrugor. /Pamfleti
Lini një Përgjigje