Reshjet e dendura të shiut dhe dëborës në lartësi kanë rënduar situatën në Qarkun e Lezhës këtë të enjte.
Bilanci i deritanishëm është shqetësues: qindra hektarë tokë nën ujë, dhjetëra banesa me prezencë uji në oborre dhe rrugë të bllokuara nga rrëshqitjet e dherave.
Situata më kritike paraqitet në Bashkinë Kurbin. Çarja e argjinaturës së lumit Drojë ka shkaktuar përmbytjen e rreth 800 hektarëve tokë në fshatin Adriatik (Fushë Kuqe).
Kjo çarje ka sjellë mbingarkesë të jashtëzakonshme për hidrovorët e Drojës dhe Shëllinzës, të cilët po punojnë në kuota kritike.
Përveç Adriatikut, niveli i ujit po rritet me shpejtësi edhe në tokat bujqësore të Fushë Mamurrasit.
Në Milot, ushtria ka ndërhyrë me mjete të rënda (eskavatorë) për të riparuar aksin rrugor Gallatë-Vinjollë, i cili ishte bllokuar.
Lezha: 960 hektarë nën ujë dhe banesa të rrethuara
Në Bashkinë Lezhë, sipërfaqja totale e përmbytur ka arritur në 960 hektarë. Zonat më të prekura janë:
Balldreni: 300 hektarë nën ujë dhe 20 shtëpi me ujë në oborre.
Dajçi: 250 hektarë.
Zejmeni: 200 hektarë dhe 12 shtëpi të rrethuara nga uji.
Pavarësisht shifrave të larta, lajmi i mirë vjen nga lumenjtë Gjadër dhe Drin, ku niveli i ujit ka pësuar rënie gjatë orëve të fundit. Megjithatë, problemet mbeten në infrastrukturë: te Ura e Jacajve (Kolsh) këmbët e urës rrezikohen nga prurjet e përroit, ndërsa në Kallmet raportohet një shembje dheu.
Mirdita: Rrëshqitje toke dhe gërryerje nga lumi Fan
Edhe në Mirditë situata nuk është e qetë. Në Kodër Rrëshen, rreth 4 dynym tokë kanë rrëshqitur, ndërsa lumi Fan i Vogël ka gërryer mbi 30 metra tokë në lagjen Donaj.
Grupet e punës janë në terren në fshatrat Simon dhe Kaçinar për të rehabilituar rrugët e lagjeve që rrezikohen nga dherat dhe ujërat sipërfaqësore.
Situata e lumenjve dhe hidrovorëve
Hidrocentralet e Qafë Mollës dhe Shkopetit kanë nisur shkarkimet e kontrolluara, të cilat për momentin nuk përbëjnë rrezik për shkak të shtratit të gjerë të lumit Mat. Lumi Drin ka rënë me 26 cm që nga mëngjesi, duke zbritur në kuotën 1.46 m.
Pavarësisht vështirësive në disa akse fshatrash, në qytetin e Lezhës situata është normalizuar dhe rrugët janë të hapura. Lajmi i mirë është se procesi mësimor në të gjithë qarkun ka vijuar normalisht.
Autoritetet, nën drejtimin e Prefektit të Qarkut, mbeten në gatishmëri të lartë pasi reshjet po vijojnë.
Po ashtu edhe në Pogradec moti i keq ka shkaktuar probleme të shumta, ku prurjet e lumit të Vërdovës kanë dëmtuar rrugën duke e bërë të vështirë qarkullimin e mjeteve.
Drejtori i Emergjencave në Bashkinë e Pogradecit, Nexhmi Torra, deklaroi se lumi i Vërdovës prej vitesh mbetet një problem serioz për zonën, duke shkaktuar dëme në tokat bujqësore e banesa si pasojë e daljes nga shtrati nga reshjet.

Sipas Torrës, Bashkia e Pogradecit ka punuar prej kohësh për gjetjen e një zgjidhjeje, duke paraqitur kërkesa të shumta pranë institucioneve përkatëse. Megjithatë, për shkak të gjendjes së kufizuar financiare të bashkisë dhe komunitetit, është kërkuar ndihmë nga qeveria qendrore.
'Lumi i Vërdovës ka qenë një problem i hershëm. Bashkia e Pogradecit ka punuar prej kohësh për të zgjidhur këtë problem, kemi bërë edhe kërkesa në institucionet përkatëse. Gjendja e financiare e bashkisë është e vogël dhe i jemi drejtuar qeverisë për ndihmë. Kemi folur me të gjitha institucionet. Kryetari i bashkisë ka folur me institucionet dhe ato janë të gatshme, por ne jemi ende në fazën e aplikimit për financim.
Lumi i Vërdovës shkakton probleme në tokat bujqësore dhe në familje. Ka disa familje që kanë bërë raportime. Kemi informuar kompanitë e qarkullimit rrugor dhe të format e mirëmbajtjes që të tregojnë kujdes, sepse kjo rrugë mund të bllokohet herë pas here. Meqë një rrugë bllokohet, kemi dhënë paralajmërim edhe për tjetrën, sepse edhe ajo mund të bllokohet herë pas here’, tha ai.
Lini një Përgjigje