Nën hetim “shpërdorimi i detyrës” dhe “shkatërrimi i pronës”; një viktimë, mbi 1.000 familje të prekura dhe dhjetëra miliona euro në pikëpyetje
Prokuroria e Durrësit ka nisur hetim kryesisht pas situatës së rëndë të krijuar nga reshjet e dy ditëve të fundit, ku qyteti dhe zonat përreth u përmbytën, ndërsa një 54 vjeçar humbi jetën. Organi i akuzës po heton dyshimet se përmbytjet masive, me rreth 250 hektarë tokë nën ujë dhe mbi 1.000 familje të dëmtuara, lidhen drejtpërdrejt me mosfunksionimin e Hidrovorit.
Hetimi përfshin veprat penale “shkatërrim i pronës me përmbytje”, “shkatërrim i pronës nga pakujdesia”, si dhe “shpërdorim i detyrës”. Sipas Prokurorisë, ekzistojnë dyshime të arsyeshme se persona me funksione publike kanë kryer veprime ose mosveprime që kanë sjellë pasoja të rënda në pronën publike dhe private, si dhe humbjen e jetës së një qytetari.
Në qendër të vëmendjes është edhe tenderi për ndërtimin e Hidrovorit të ri, me vlerë 19 milionë euro, i fituar nga bashkimi i kompanive 2T, Adriatik dhe Vëllezërit Hysa. Kompania Adriatik zotërohet 50 për qind nga Petrit Kovaçi, babai i Spartak Kovaçit, ish-drejtor i Përgjithshëm i Ujësjellës Kanalizimeve.
Sipas të dhënave të Open Data, kompania 2T zotërohet 20 për qind nga Artan Sako, vëllai i Gramoz Sakos, aktualisht kryetar i Bashkisë Tepelenë dhe ish drejtues i Gardës së Republikës. Këto lidhje kanë ngritur dyshime serioze për konflikt interesi dhe mungesë kontrolli në zbatimin e kontratës.
Nga hetimet paraprake rezulton se vdekja e shtetasit A.H., punonjës i Ndërmarrjes Komunale Plazh, dyshohet të ketë ardhur si pasojë e rrjedhjes së fortë të ujit. Ai kishte shkuar në zonë për të verifikuar situatën e krijuar nga reshjet. Prokuroria po verifikon përgjegjësitë e strukturave që kishin për detyrë mirëmbajtjen, kontrollin dhe menaxhimin e emergjencës, ndërsa dosja pritet të zgjerohet me emra konkretë në ditët në vijim. /Pamfleti
Pjesë nga deklarata e prokurorisë
Regjistrimi i këtij procedimi penal erdhi pas situatës së krijuar përgjatë dy ditëve ku për shkak të rreshjeve të vazhdueshme u krijuan problematika reale, të dukshme për personat fizikë, për mirëqënien e tyre por edhe dëme të konsiderueshme.
Gjendja e krijuar e cila ka penguar zhvillimin normal të aktiviteteve arsimore, shtetërore, shëndetësore, ka krijuar bllokimin e rrugëve urbane dhe interurbane, përmbytjen e banesave dhe vendosjen në rrezik real të jetës së qytetarëve, përmbytjen e institucionit penitenciar duke vendosur në gjendje emergjente të gjithë qarkun në të cilin ushtron juridiksionin territorial dhe lëndor Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, jep të dhëna të mjaftueshme dhe të arsyeshme se jemi përpara një fakti penal.
Nga të dhënat e deritanishme rezulton se si pasojë e kësaj situate dyshohet se ka ardhur për pasojë dhe vdekja e shtetasit A.H., i cili rezulton të jetë punonjës i Ndërmarrjes Komunale Plazh. Sipas informacioneve rezulton se ky shtetas ka shkuar në zonë për të verifikuar situatën e krijuar nga reshjet dhe vërshimet e ujit. Nga të dhënat paraprake ka dyshime që ai ka humbur jetën për shkak se është marrë nga rrjedhja e ujit e shkaktuar në vend.
Në kushtet kur rrethanat se si ka ndodhur humbja e jetës së këtij shtetasi, bazuar në rrethanat e marra dijeni deri në këto momente personalisht dhe nëpërmjet medias, rezulton se ka dyshime të arsyeshme për ekzistencën e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, të kryer nga personat përgjegjës për mirëmbajtjen, kontrollin dhe menaxhimin e situatës së krijuar për shkak të reshjeve të shiut, në qytetin e Durrësit.
Ka dyshime se nga personat e ngarkuar me funksione, të cilat kanë për detyrë menaxhimin e situatës janë kryer veprime ose mosveprime që përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës, duke dëmtuar rëndë interesat e shtetasve dhe personave juridikë dhe kanë sjellë edhe pasojat e rënda të evidentueshme dhe të matshme mbi të mirat pasurore si edhe në jetën e një personi i cili ka humbur jetën.
Po kështu, bazuar në dëmet e konsiderueshme të evidentuara deri më tani që janë shkaktuar në infrastrukturën publike si dhe pronën privat, ekzistojnë dyshime të arsyeshme për ekzistencën e veprës penale të “Shkatërrimit të pronës me përmbytje” dhe “Shkatërrimi i pronës nga pakujdesia” të parashikuar nga neni 153 dhe neni 161 i Kodit Penal.
Duhen hetuar e ndeshkuar jo veyem keto por gjithe administrata qe merten efhe me ujin e pijshem.Gjithandej administrata eshte e vobekte dhe si pasoje ndodhin keto fatkeqesi.