
Një grup të rinjsh aktivistë kanë protestuar në Lezhë kundër marrëveshjes së qeverisë shqiptare dhe asaj italiane për refugjatët.
Nga raportimet në medie dhe nga vetë protestuesit bëhet me dije se policia ka penguar aktivistët për të vendosur çadrën “kamp” përpara Bashkisë Lezhë.
Kjo ka sjellë dhe përplasje mes aktivistëve dhe policisë, pasi këta të fundit e quajnë të paligjshëm diçka të tillë.
Intitucione që shkelin ligjin hapur. Në gjyq duhen çu. pic.twitter.com/V8JQdSoDdF
— Arbër Lleshi (@arbrixv) November 26, 2023
Kryeministri Rama dhe kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni deklaruan disa ditë më parë në një konferencë të përbashkët për shtyp se mijëra refugjatë që zbarkojnë në brigjet italiane do të strehohen në Shqipëri, në pritje të trajtimit të aplikimit të tyre për azil.
Mazhoranca shqiptare ka vendosur të miratojë brenda vitit paktin me Italinë për refugjatët. Edhe pse ka shkaktuar shumë debate dhe nuk ka pasur asnjë konsultim me qytetarët, socialistët janë të vendosur të mos humbasin asnjë minutë kohë.
Teksa vetë Meloni pret ta kalojë në Itali në mes të dhjetorit, mazhoranca do ta kalojë draftin në datën 21 dhjetor, që është dhe seanca e fundit plenare e këtij viti.
“Pamfleti” ka siguruar Kalendarin e Punimeve për 3 javët në vijim dhe bie në sy se drafti është lënë për në seancën e fundit. Strategjia duket se është për të shuar zërat. Pas datës 21 dhjetor, politika dhe administrata marrin pushimet dhe kalimi i draftit nuk do të bëjë aq bujë.
Po ashtu dhe Meloni pret të mos ketë asnjë pengesë dhe kjo do të thotë që në fillim të viti që vjen drafti hyn në fuqi dhe nis menjëherë puna për ardhjen e emigrantëve. Vetë opozita jonë ka paralajmëruar padi në Kushtetuese, por ky proces do të marrë shumë kohë dhe mund të mos krijojë pengesa.
Sipas kësaj marrëveshje, Shqipëria duket se i jep Italisë kontroll total në Gjadër dhe në Shëngjin. Brenda kampeve do të jenë italianët ata që do të bëjnë ligjin, ndërsa Shqipëria do të kujdeset për sigurinë jashtë.
Më tej bëhet me dije se marrëveshja do të zgjasë 5 vite, por me të drejtë rinovimi. Pra me pak fjalë së paku emigrantë do vijojnë të strehohen për 5 vite, por mund të zgjasë dhe më shumë.
Sipas paktit, shpenzimet për përshtatjen e një apo më shumë strukturave të hyrjes në territorin e Republikës së Shqipërisë të migrantëve do të mbulohen tërësisht nga pala italiane./Pamfleti
Lini një Përgjigje