
Ish-prokurori Ervin Karanxha tha se në atentatin e kryer në Rinas mund të kishte pasur edhe viktima të tjerë, nëse aty do të kalonte ndonjë furgon. Ai u shpreh se vrasja e Gilmando Danit mund të kishte pasoja edhe më të mëdha.
“Rinasi është zonë që vijnë edhe njerëz me furgona. Mund të kishte qenë një furgon aty atë moment, mund të ishin vrarë edhe njerëz të tjerë. Pra, mund të kishim pasoja. Mund të ishte tjetri në hotel duke pirë kafe. Është fat i madh, Zoti ka mbajtur dorën sepse shumë ngjarje të tjera kemi parë. Ka ikur koha e profesionistëve që mbaronin punë. Vrasja është kryer e rrezikshme për jetën e shumë personave. Pra, është rrezikuar jeta e qytetarëve”, tha Karanxha për “A2 CNN”.
Ish-prokurori theksoi se sot policia nuk vihet në ndjekje të autorit, madje nuk ka arrestime në flagrancë.
“Ndoshta dhe Policia e Shtetit ka nevojë të mësojë si funksiononin grupet e gatshme. Unë e mbaj mend që kur ndodhte një ngjarje në Tiranë, të katër komisariatet çoheshin në këmbë dhe ndiqnin autorin. Sot, ne nuk po shohim ndjekje të autorit dhe një autor që u kap në flagrancë, po të kemi parasysh vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja, ai u çua vetë dhe tha “jam këtu”. Ajo s’quhet kapje në flagrancë. Mendoj që duhet të ndryshojë dhe struktura, duhet të bëhen grupet e gatshme siç ka qenë më parë, që të jenë shpejt që të kontrollohet territori në kohë”, përfundoi ai.
Lini një Përgjigje