
Thirrja e fundit e ish-kryeministrit Sali Berisha nga SPAK-u për t'u marrë në pyetje për dosjen e '21 Janarit' ka ringjallur shpresën për drejtësi lidhur me këtë ngjarje. Sipas analistit Aleksandër Çipa, kjo lëvizje nuk vjen nga vullneti politik, por është një detyrim që buron nga Gjykata e Strasburgut, e cila ka kërkuar zbardhjen e plotë të ngjarjes tragjike.
Në një intervistë për emsionin “Të Pashoq” në kanalin në Youtube të “Pamfletit”, Çipa e cilëson '21 Janarin' si një 'kazus' themelor që dëshmon ekzistencën e një 'regjimi pandëshkueshmërie' në Shqipëri. Sipas tij, kjo betejë mes drejtësisë së re dhe politikës së vjetër do të jetë përcaktuese për të ardhmen e shtetit ligjor në Shqipëri.
Pjesë nga intervista:
-Tani, ne jemi mësuar që të gjitha zhvillimet t'i lidhim se njëra pa tjetrën nuk bëjnë dot, politika me drejtësinë tek ne. Çfarë ndodh nga politika, çfarë ndodh nga SPAK-u, këto janë dy dy polet ku përqëndrohet lajmi po themi dhe analiza. Lëvizjet e fundit të SPAK-ut. Për shembull ditën e premte është dërguar një fletëthirrje për kreun demokrat Sali Berisha për të dëshmuar për dosjen e 21 janarit. Si e lexoni ju këtë lëvizje tanimë, ka ndonjë ndikim kjo në çka do të ndodhë?
Çipa: Në realitetin tonë nuk përjashtohet asnjëherë nevoja për të krijuar kontekste të reja për llogari të situatave të reja. Ëhë. Dhe cili është ky? Rikthimi i axhendës ose thënë ndryshe i dosjes së 21 janarit në SPAK, është një detyrim që në fakt më shumë sesa nga vullneti i njërit kah politik, vjen prej urdhëresës nga gjykata e Strasburgut. Ëhë. E vërteta është që 21 janari është ngjarja ndoshta më dramatike, më tragjike e deformimit dhe e shfaqjes së imazhit të shtetit shqiptar si një shtet gjakues mbi qytetarë të pafajshëm. Dhe mosmarrja dhe mosdhënia e drejtësisë për këtë proces kaq tragjik, në fakt sjell deformimin të madhe dhe deformimin më të madh në marrëdhënien midis shtetit dhe qytetarëve dhe aq më tepër në një shoqëri që pretendon se posedon dhe mishëron demokracinë dhe shtetin ligjor. Dhe në kushtet kur ky shtet ligjor është shtet që ka gjakuar qytetarët e vet të pafajshëm, pavarësisht nga protagonizmi politik që e ka çuar në atë shesh mejdan, kjo është një çështje që do të duhej të trajtohej si e tillë me kohë.
Fakti që në periudhën kur qeveriste zoti Berisha, kjo gjë nuk ndodhi sepse nuk mund të ndëshkonte vetveten dhe ai krijoi dhe i u investua të krijojë një perceptim publik se ekzistojnë dy anët e medaljes. Edhe ai që i solli qytetarët aty, edhe ai që qëlloi mbi qytetarët e pafajshëm. Dhe kjo simetri e së drejtës apo drejtësisë që pretendonte njëra apo tjetra palë për 21 janarin, ishte arsyeja pse u mbajt peng dhe u pengua drejtësia. Në kushtet kur Strasburgu, falë një këmbënguljeje të një personi avokat, por i afërt me një prej viktimave e riktheu procesin dhe po e imponon si të tillë në kushtet e një sistemi të ri të drejtësisë dhe në kushtet e një gjykimi dhe hetimi të ri, kjo në fakt mund ta ndryshojë këtë qasje që de facto mund të godasë atë që ne e kemi thënë, pandëshkueshmërinë reale. Sepse 21 janari është një kazus i plotë, i thellë, i mjaftueshëm për të identifikuar pandëshkueshmërinë si një lloj regjimi që ka determinuar shoqërinë shqiptare në periudhën e tranzicionit.
Lini një Përgjigje