TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 7 Maj 2026, 12:45

Helmimi i studentëve të Akademisë së Sigurisë, justifikohet administratori: S’kemi pasur kurrë raste të tilla

Shkruar nga Pamfleti
Helmimi i studentëve të Akademisë së Sigurisë,
Milton Nushi

Administratori i Akademisë së Sigurisë ka folur lidhur me helmimin e dhjetëra studentëve, nga konsumimi i vaktit të drekës të ofruar nga institucioni dhe i shërbyer nga kompania private e kontraktuar Sori-Al.

Në një deklaratë për mediat, Milton Nushi tha se bëhet fjalë për rastin e parë të këtij lloji në historinë e Akademisë, ndërsa shtoi se të gjithë studentët që morën ndihmë mjekësore janë kthyer në gjendje të mirë shëndetësore.

“Kanë pasur shqetësime studentët pas konsumimit të vaktit të drekës. Janë çuar në infermierinë që kemi këtu dhe më pas në QSUT, dhe janë kthyer, të gjithë janë shëndoshë e mirë”, deklaroi ai.

Sipas administratorit, dyshimet paraprake lidhen me ushqimin e konsumuar gjatë drekës, ndërsa mostrat janë marrë për analiza nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit dhe institucionet e Shëndetit Publik.

“Ne kemi njoftuar menjëherë AKU-në dhe Shëndetin Publik. Mostrat janë marrë, pasi ushqimi këtu vjen me katering dhe ne ruajmë mostrat për 24 orë për raste të tilla”, u shpreh Nushi.

Ai u justifikua duke mbrojtur cilësinë e ushqimit të servirur në Akademi, dhe shtoi se deri më tani nuk ka pasur raste helmimi.

“Ushqimi është i standardeve shumë të mira. Mund të ketë pasur ankesa për llojshmërinë, por jo për cilësinë. Nuk kemi pasur asnjë moment helmimi deri sot”, tha administratori.

Ai sqaroi gjithashtu se ushqimi nuk përgatitet në ambientet e Akademisë së Sigurisë, por në kuzhinat e licencuara të kompanisë private të kontraktuar “Sori-Al”, e cila sipas tij furnizon edhe institucione të tjera.

“Kjo është një kontratë e re që kemi, por janë marrë të gjitha masat. Po presim rezultatet e analizave”, deklaroi Nushi, duke shtuar se aktiviteti në Akademi po vijon normalisht.

akademia e sigurise administratori ushqim studente helmim

Lini një Përgjigje