TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 7 Maj 2026, 11:33

GJKKO shtyn sërish gjyqin ndaj Majlinda Bufit, kryebashkiakja mungon në seancë

Shkruar nga Pamfleti
GJKKO shtyn sërish gjyqin ndaj Majlinda Bufit, kryebashkiakja mungon
Majlinda Bufi

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka shtyrë për më 21 maj seancën gjyqësore ndaj kryebashkiakes së Roskovecit, Majlinda Bufi, nën akuzën e “përdorimit të funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore”.

Vendimi erdhi pasi e pandehura nuk ishte e pranishme në seancë. Përmes avokatit të saj Klodian Skënderi, u paraqitën dokumente dhe bileta udhëtimi, që sipas tij vërtetonin se Bufi ndodhej jashtë Shqipërisë në kuadër të një workshop-i.

Avokati argumentoi se, prania e saj në këtë fazë të procesit konsiderohet e domosdoshme, pasi çështja ndodhet në momentin e paraqitjes së konkluzioneve përfundimtare të mbrojtjes.

“Për shkak se ndodhemi në fazën e konkluzioneve të mbrojtjes, e mbrojtura dëshiron të jetë e pranishme”, deklaroi Skënderi para trupit gjykues.

Edhe më herët, procesi ndaj kryebashkiakes është shtyrë disa herë. Në seancën pararendëse, gjykata paralajmëroi se vonesat e vazhdueshme dhe mungesa e përgatitjes mund të interpretoheshin si mungesë vullneti për mbrojtje, dhe do të kalonte në shpallje vendimi.

Ndërkohë, Prokuroria e Posaçme ka kërkuar shpalljen fajtore të Majlinda Bufit për akuzën e “përdorimit të detyrës për veprimtari politike dhe zgjedhore”. SPAK ka kërkuar dënimin e saj me një vit burg, me konvertim në dy vite shërbim prove.

Lini një Përgjigje