TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 5 Mars 2025, 18:20

Fondet e USAID, pse nuk përmendi Trump në fjalimin e tij Shqipërinë dhe Kosovën?

Shkruar nga Pamfleti

Fondet e USAID, pse nuk përmendi Trump në fjalimin e tij

Por nëse i referohemi mënyrës se si në Shqipëri interpretohen çështje të ndryshme, që nga fotot me shtrëngime duarsh apo mesazhe, ndoshta edhe kjo mund të interpretohet si një rrëzim të tezës së Berishës, apo rrëzim të të gjithë propagandës së ngritur për drejtësinë e re me qëllim goditjen e opozitës.

Presidenti Donald Trump mbajti një fjalim në Kongresin e SHBA, ku ndër të tjera përmendi edhe disa nga gjetjet e DOGE që drejtohet nga Elon Musk, lidhur me abuzimin e fondeve apo donacioneve të dhëna nga Shtetet e Bashkuara në vende të ndryshme.

Trump përmendi një seri shtetesh ku përmes projekteve janë ‘hedhur’ miliona dollarë të taksapaguesve amerikanë, që janë konsideruar si shkelje apo abuzime me fondet. Dhe në serinë e shteteve të përmendura nuk u përfshinë as Shqipëria dhe as Kosova, ndërkohë që u evidentua Serbia dhe Moldavia.

Shqipëria, referuar një publikimi nga Richard Grenell ka përfituar 189 mln dollarë nga fondet e USAID, ndërsa Kosova 537 mln dollarë. Në rastin e Shqipërisë, të paktën 9 mln dollar janë përdorur për reformën në drejtësi dhe referuar akuzave që ka bërë kreu demokrat, Sali Berisha, këto para u përdorën për të ndërtuar një sistem drejtësie të kontrolluar nga Soros për të goditur opozitarizmin dhe konservatorizmin në Shqipëri. Madje kjo prej muajsh është kthyer në një kryefjalë, aq sa pak ditë më parë u përmend edhe në një seancë dëgjimore në Kongresin e SHBA, nga një prej gazetarëve investigativë amerikanë që dha dëshminë e tij.

Por Trump, i cili gjatë fjalimit të tij, foli ndër të tjera  për 14 mln dollarët e përdorur në Serbi për procesin e prokurorimit publik, nuk përmendi as Shqipërinë dhe as Kosovën.

Nuk dihet nëse deri në momentin e fjalimit të Trump, DOGE e drejtuar nga Musk, ka audituar fondet për Shqipërinë dhe Kosovën, gjë që mund të jetë një arsye sepse nuk përmenden dy vendet, apo ato janë ende jashtë vëmendjes së Presidentit amerikan.

Por nëse i referohemi mënyrës se si në Shqipëri interpretohen çështje të ndryshme, që nga fotot me shtrëngime duarsh apo mesazhe, ndoshta edhe kjo mund të interpretohet si një rrëzim të tezës së Berishës, apo rrëzim të të gjithë propagandës së ngritur për drejtësinë e re me qëllim goditjen e opozitës.

Gjatë fjalimit të tij, Trump u ndal te Moldavia, për të cilën tha se u përdorën 32 milionë dollarë për një operacion propagandistik të krahut të majtë. Dhe referuar këtij momenti dhe tezave që janë ngritur fort nga opozita e drejtuar nga Berisha, se janë përdorur fonde për të favorizuar krahun e majtë ose për të goditur opozitën, nëse do të kishte evidenca mund të zinin sadopak vend në fjalimin e Presidentit të SHBA.    

Ja çfarë përmendi Trump në Kongres

Faleminderit, Elon. Ai po punon shumë. Faleminderit shumë, e vlerësojmë. Të gjithë këtu – madje edhe kjo anë e sallës, besoj – e vlerësojnë. Thjesht nuk duan ta pranojnë.

Vetëm dëgjoni disa nga shpërdorimet tronditëse që kemi zbuluar deri tani:

22 miliardë dollarë nga Departamenti i Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore për të ofruar strehim dhe makina falas për emigrantët e paligjshëm.

45 milionë dollarë për bursa të diversitetit, barazisë dhe përfshirjes në Birmani.

40 milionë dollarë për të përmirësuar përfshirjen sociale dhe ekonomike të migrantëve sedentë. Askush nuk e di çfarë do të thotë kjo.

8 milionë dollarë për promovimin e LGBTQI+ në kombin afrikan të Lesotos, për të cilin askush nuk ka dëgjuar ndonjëherë.

60 milionë dollarë për fuqizimin e popullsive indigjene dhe afrikano-karaibe në Amerikën Qendrore. 60 milionë.

8 milionë dollarë për të bërë minjtë transgjinorë – kjo është e vërtetë.

32 milionë dollarë për një operacion propagandistik të krahut të majtë në Moldavi.

10 milionë dollarë për rrethprerjen e meshkujve në Mozambik.

20 milionë dollarë për programin arabisht të “Sesame Street” në Lindjen e Mesme. 20 milionë dollarë për një program.

1.9 miliardë dollarë për një komitet të ri për dekarbonizimin e shtëpive, i drejtuar – dhe e dimë se kush është e përfshirë – në momentin e fundit paratë u kaluan për një grua me emrin Stacey Abrams. A keni dëgjuar ndonjëherë për të?

3.5 milionë dollarë për një kontratë konsulence për monitorimin luksoz të peshqve.

1.5 milionë dollarë për besimin e votuesve në Liberi.

14 milionë dollarë për kohezionin social në Mali.

59 milionë dollarë për dhomat e hotelit për emigrantët e paligjshëm në qytetin e Nju Jorkut. Një biznesmen i pasurive të paluajtshme është pas kësaj, ka bërë shumë para.

250,000 dollarë për të rritur inovacionin e klimës lokale vegane në Zambia.

42 milionë dollarë për ndryshimin social dhe të sjelljes në Ugandë.

14 milionë dollarë për përmirësimin e prokurimeve publike në Serbi. /Pamfleti/

Lini një Përgjigje