TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 5 Mars 2025, 15:49

Pasi u shfaq në mitingun e Berishës, Adriatik Llalla manovra për të shmangur arrestimin; sytë te parashkrimi i dënimit

Shkruar nga Pamfleti
Pasi u shfaq në mitingun e Berishës, Adriatik Llalla manovra për
Llalla në mitingun e Berishës

Llalla tërhiqet nga ankimimi në Gjykatën e Lartë, pret parashkrimin e dënimit...

Pas arratisjes, ish-Kryeprokurori Adriatik Llalla, ka bërë një tjetër manovër për të mos u futur kurrë në qeli.

Ai ka hequr dorë nga rekursi në Gjykatën e Lartë, ku ankimoi vendimin e Apelit, i cili e dënoi atë me 2 vite burg për fshehje pasurie.

Kjo heqje dorë nga rekursi vjen pikërisht në kohën kur Gjykata e Lartë ka shpallur datën e gjyqit katër vjet nga dënimi i Adriatik Llallës, por edhe me shumë mundësi edhe afrimit drejt afatit të parashkrimit të dënimit. Gjykata e Lartë ka bërë publike se dita e gjyqit do të jetë në 25 mars dhe ka si relator gjyqtarin e lartë Ilir Panda. Por me dorëzimin e heqjes dorë nga rekursi pritet që gjykata të gjendet pa objekt dhe pa çështje për të shqyrtuar.

Kjo është një lëvizje strategjike e Adriatik Llallës, pasi për 2 vite i parashkruhet dënimi. Ai u dënua në vitin 2021 me 2 vite burg dhe sipas Kodit Penal, për dënime të kësaj natyre pas 5 vitesh parashkruhet dënimi. Pra në maj të vitit 2027 Llalla nuk mund të arrestohet. Ai do cilësohet si i dënuar, por nuk do të vuajë asnjë ditë burg.

Vendimi i dënimit nuk ekzekutohet kur nga dita që ka marrë formë të prerë kanë kaluar: a) njëzet vjet për vendimin që përmban dënim pesëmbëdhjetë gjer në njëzetepesë vjet burgim; b) dhjetë vjet për vendimin që përmban dënim pesë gjer në pesëmbëdhjetë vjet burgim; c) pesë vjet për vendime që përmbajnë dënim me burgim gjer në pesë vjet ose dënime të tjera më të lehta”, thuhet në Kodin Penal

Frika e tij ishte se Gjykata e Lartë mund të kthente dosjen për rishqyrtim dhe gjithçka mund të ndodhte më pas. Si duket Llalla ka vendosur të ndalë betejën dhe të shijojë arratinë dhe për 2 vite.

Pak javë më parë i u shfaq në një miting që mbajti kreu i PD Sali Berisha në Itali, çka dëshmon se Llalla ka shpresa që të vijë PD në pushtet dhe më pas të mos ketë më asnjë problem.

Adriatik Llalla u zgjodh Prokuror i Përgjithshëm në vitin 2012 dhe e mbajti këtë post deri në nëntor 2017, kur i mbaroi mandati 5-vjeçar.

Hetimet ndaj tij nisën në vitin 2018 nën akuzat e fshehjes së pasurisë, shpërdorimit të detyrës dhe pastrimit të parave. Ai u hetua edhe për veprën penale të “mosdeklarimit të shumave monetare në kufi”.

Më pas, dosja u dërgua në ish-Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe në korrik 2018, gjykata respektive vendosi sekuestron e pronave të ish-Prokurorit të Përgjithshëm.

Në një njoftim për shtyp të atëhershëm, Prokuroria e Krimeve të Rënda bëri të ditur se Llallës iu vendosën nën sekuestro një apartament 67 metra katrorë në Durrës dhe katër parcela toke me sipërfaqe të përgjithshme prej rreth 22 mijë metrash katrorë në periferi të Tiranës.

Akuzat ndaj Llallës u rrudhën dhe SPAK njoftoi të më 9 mars 2021 përfundimin e hetimeve vetëm për veprën penale “refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, të kryer tri herë.

Më 20 maj 2021, Llalla u dënua në shkallë të parë me 2 vjet burg. Ai do të përfitojë nga aplikimi i gjykimit të shkurtuar uljen e 1/3 së dënimit, duke mbetur si dënim përfundimtar 1 vit e 4 muaj burgim. /Pamfleti

Lini një Përgjigje